Lëvizja qytetare që prej kohësh po mban të ndezur valën e protestave masive në Tiranë ka bërë një hap të ri, duke e çuar aksionin e saj përtej kufijve vendas. Grupi koordinues i protestës i ka dërguar një letër zyrtare ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Republikën e Shqipërisë, ku renditen pesë kërkesa kryesore ndaj qeverisë.
Krye kërkesës së protestuesve i qëndron dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e kabinetit aktual, të cilën aktivistët e konsiderojnë një kusht të domosdoshëm dhe të panegociueshëm për një rinovim demokratik të vendit. Menjëherë pas saj vjen thirrja për ngritjen e një qeverie tranzitore teknokrate dhe jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila do të kishte për detyrë të mbikëqyrte një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
Të lidhura
None found
Si pikë e tretë, dokumenti kërkon një reformë kushtetuese të gjerë, të mbështetur mbi barazinë e plotë të qytetarëve para ligjit dhe të miratuar me referendum popullor. Sipas sqarimeve në letër, kjo reformë duhet të përfshijë edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Në të njëjtën kohë, theksohet edhe një tjetër kërkesë e debatuar: kufizimi i mandatit të Kryeministrit, duke mos lejuar që një person të ushtrojë më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë karrierës së tij politike.
Si kërkesë të katërt, grupi koordinues kërkon ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion. Sipas tyre, duhet të shfuqizohen ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Po ashtu, kërkohet anulimi i plotë i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si edhe shfuqizimi i kuadrit aktual ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë dhe e fundit përmbledh synimin e protestuesve për ndërtimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit. Kjo kontratë kërkohet të hartohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes.
Letra, që shënon një zhvillim të rëndësishëm në këtë rezistencë të gjatë, mban firmat e 13 përfaqësuesve të grupit koordinues: Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.
