Forca e Sigurisë së Kosovës është renditur sërish si institucioni që gëzon më së shumti besim në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026, çka ka nxitur reagimin e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Të dhënat e anketës tregojnë se 87.4 për qind e qytetarëve kanë besim te FSK-ja, duke ia ruajtur edhe këtë vit pozitën e institucionit më të besueshëm në Republikën e Kosovës.
Të lidhura
None found
Maqedonci e cilësoi këtë rezultat si një vlerësim për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së, ndërsa u shprehu mirënjohje qytetarëve për besimin e dhënë, transmeton KosovaPress.
“Ky besim është dëshmia më e fuqishme se investimet e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, profesionalizmin e personelit dhe ndërtimin e një force moderne po japin rezultatet e tyre”, thuhet në reagim.
Ai nënvizoi se ky sukses u takon të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, duke përfshirë ushtarakët, nënoficerët, oficerët dhe personelin civil. Po ashtu, ai veçoi kontributin e komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe të Shtabit të Përgjithshëm për drejtimin profesional të forcës.
Sipas Maqedoncit, Ministria e Mbrojtjes do të vijojë ta përkrahë procesin e transformimit dhe modernizimit të FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s dhe objektivat strategjike të Kosovës.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve përbën njëkohësisht nder dhe përgjegjësi, duke shtuar se institucionet e mbrojtjes do të vazhdojnë angazhimin për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe thellimin e bashkëpunimit me aleatët.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për një Kosovë më të sigurt, më të mbrojtur dhe gjithnjë e më të gatshme për të përmbushur misionin e saj dhe aspiratën strategjike për anëtarësim në NATO”, përfundon reagimi.
