Një telefon i zbuluar gjatë kontrolleve të befasishme në burgun e Fierit është dërguar në SPAK për këqyrje dhe ekspertizë, pasi u gjet i hedhur nga qelia gjatë aksionit të policisë së burgjeve.
Sipas dyshimeve, pajisja celulare i përket Azgan Mërnicës, i cili është dënuar nga Apeli me 35 vjet burg për vrasjen e oficerit Novruz Cenalia në Fier.
Të lidhura
None found
Më herët, ulja e dënimit nga burgim i përjetshëm për autorin e vrasjes së efektivit të Shqiponjave solli reagimin e ministrit të Brendshëm. Ndërkohë, pas kontrolleve blic, Mërnica ka mohuar që telefoni të jetë i tij. Pavarësisht kësaj, agjencia AMSEVP në Ministrinë e Drejtësisë po heton rastin dhe ka dyshime se telefoni përdorej prej Mërnicës.
Për këtë arsye janë marrë në pyetje edhe forcat operacionale që kryen kontrollet në sektorin 3, kati 2, në Godinën e Paraburgimit, ku nuk u konstatuan sende të ndaluara.
Në shkresë thuhet se “nga kontrolli në brezin e butë nga brenda regjimit përballe vendrojës 4, poshtë godinës së Paraburgimit, janë gjetur 2 celularë ngjyre të zezë dhe 1 fishë karikimi ngjyrë e bardhë, pa autor”.
Burime jozyrtare nga oficerët e bllokut të sigurisë kanë pohuar se aparati është hedhur nga qelia ku mbahet Mërnica.
