Një grua i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes, pasi u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese që u shemb në La Guaira, pas tërmetit të fortë që goditi zonën.
Graciela Mora ishte në gjendje të plotë vetëdijeje në momentin kur ekipet e emergjencës, së bashku me vullnetarë, arritën ta nxirrnin nga poshtë rrënojave.
Të lidhura
None found
Vetëm pak minuta pas shpëtimit, teksa ndodhej ende në barrelë, ajo dha një dëshmi për çastet dramatike që kaloi gjatë lëkundjeve sizmike.
“Kur filloi tërmeti, u kapa sa më fort që munda pas kornizës së derës. U shtrëngova aq fort, sa më theu gishtin”, tregoi ajo.
Mora tha se nuk e lëshoi derën në asnjë moment, deri kur ndërtesa u shemb plotësisht.
“Qëndrova e kapur derisa të gjitha katet u shembën”, u shpreh ajo, ndërsa përshkruante tmerrin që përjetoi nën rrënoja.
Ajo shtoi gjithashtu se në një çast dalloi dorën e njërit prej shpëtimtarëve që iu afrua dhe e kapi menjëherë, gjë që bëri të mundur nxjerrjen e saj nga rrënojat.
Ndërkohë, pamjet nga operacioni i shpëtimit të saj janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, teksa kërkimet vazhdojnë për të gjetur persona të tjerë që mund të jenë ende nën rrënoja.
