Të pakta janë mediat që arrijnë të qëndrojnë për më shumë se tri dekada, pa humbur profilin e tyre dhe duke mbetur pranë publikut në periudha sfidash, ndryshimesh dhe zhvillimesh të mëdha historike.
Në 31 vitet e ekzistencës së saj, gazeta “Bota sot” është shfaqur jo vetëm si burim informacioni, por edhe si një zë i rëndësishëm i fjalës së lirë, i çështjes kombëtare dhe i interesit publik.
Të lidhura
None found
Që nga dita e themelimit, ajo ka përcjellë nga afër ngjarjet që kanë ndikuar në fatin e shqiptarëve, duke informuar, dokumentuar dhe ndërgjegjësuar për momente të rëndësishme të historisë sonë. Edhe në kohë të vështira, kur e vërteta vihej në provë dhe fjala e lirë haste pengesa të shumta, gazeta mbeti një hapësirë e hapur për mendimin e lirë dhe debatin demokratik.
Për mijëra lexues në trojet shqiptare dhe jashtë tyre, “Bota sot” është kthyer në pjesë të jetës së përditshme, si një dritare për të ndjekur zhvillimet politike, shoqërore, kulturore dhe kombëtare.
Vlera e saj nuk qëndron vetëm te numri i botimeve apo te vitet e veprimtarisë, por edhe te pesha që ka pasur në ndërtimin e opinionit publik dhe në mbrojtjen e parimeve demokratike.
Ky 31-vjetor shënon një moment të veçantë për të parë pas rrugëtimin e gazetës, pengesat e kapërcyera dhe misionin që ajo vijon të mbajë në shërbim të informimit dhe të së vërtetës.
Në të njëjtën kohë, ky përvjetor shërben edhe për të vlerësuar ndikimin që “Bota sot” ka pasur në mbështetjen e lirisë së medias dhe në forcimin e gazetarisë profesionale në hapësirën shqiptare.
Tahiraj: “Bota Sot” luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në gazetarinë shqiptare
Për 31-vjetorin e Gazetës “Bota sot” ka folur veprimtari dhe bashkëpunëtori i saj ndër vite, Saim Tahiraj.
Sipas tij, gjatë 31 viteve të veprimit të saj, Gazeta “Bota Sot” ka dhënë një ndihmesë të vyer në gazetarinë shqiptare, duke u veçuar për profesionalizëm, guxim dhe informim të drejtë të publikut, ndaj edhe e meriton vlerësimin dhe mirënjohjen në këtë jubile të rëndësishëm.
“Në 31-vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë së saj, gazeta “Bota Sot” dhe stafi i saj me të drejtë duhet të krenohen për kontributin e dhënë në gazetarinë kosovare. Në këtë ditë jubilare, nga zemra urojmë stafin, gazetarët, bashkëpunëtorët dhe lexuesit e saj besnikë.
“Bota Sot” luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në gazetarinë shqiptare. Me guxim, profesionalizëm dhe përkushtim, ajo paraqiti realitetin objektiv të ngjarjeve dhe zhvillimeve shoqërore e politike, duke informuar opinionin drejt dhe me kohë”, u shpreh ai.
Më tej, veprimtari thekson se “Bota Sot” tregoi një kurajo të jashtëzakonshme kur raportoi për vrasjet politike dhe krimin në Kosovë, pa u ndalur as përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj jetës së gazetarëve të saj.
“Veçanërisht vlen të theksohet se shumë ngjarje të dhimbshme të periudhës së paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, të cilat rezultuan me vrasje politike të figurave madhore të LDK-së, si dhe të oficerëve të lartë ushtarakë e policorë të institucioneve të Republikës së Kosovës, “Bota Sot” i trajtoi me një guxim të pashoq, duke raportuar dhe informuar opinionin publik përmes shkrimeve të saj. Gazetarë dhe bashkëpunëtorë të guximshëm, pa fije frike, i denoncuan dhe i kritikuan ashpër veprimet e tilla kriminale.
Edhe pse u kërcënuan me vdekje dhe disa prej tyre u ekzekutuan, ata asnjëherë nuk u ndalën, por vazhduan me guxim demaskimin e bandave kriminale. Kujtojmë kërcënimet që drejtoheshin kundër tyre me fjalët: “Jeta në Kosovë vlen vetëm 40 cent”, por as kjo nuk i zmbrapsi.
Nëse ekziston një çmim për guximin në publikimin e së vërtetës kur ajo kushtonte me jetë, ndër të parët që do ta meritonte do të ishte “Bota Sot”, së bashku me gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj”, thotë veprimtari.
Ai shpreh gjithashtu mirënjohje ndaj “Bota Sot” për hapësirën që i ka dhënë të vërtetës dhe mendimit kritik, duke e cilësuar gazetën simbol të guximit dhe të lirisë së shprehjes në gazetarinë e Kosovës.
“Personalisht e falënderoj shumë gazetën “Bota Sot”, e cila ma mundësoi botimin e intervistave dhe shkrimeve të mia, të cilat asnjë gazetë tjetër nuk kishte guxim t’i publikonte. Ishte e vetmja dritare nga e cila shpërndahej drita e së vërtetës.
Falë guximit të stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj, u thye frika dhe gazetaria e Kosovës fitoi më shumë liri të shprehjes dhe demokratizim. Edhe pse kjo u arrit me vuajtje, sakrifica dhe gjak, ajo mbetet një nga fitoret më të rëndësishme të fjalës së lirë në Kosovë.
Në këtë përvjetor kujtojmë me shumë respekt të gjithë ata gazetarë që u vranë vetëm pse shkruan të vërtetën dhe demaskuan krimin.
Uroj që “Bota Sot” ta vazhdojë traditën e saj, duke demaskuar me guxim të gjitha veprimet negative të pushtetit dhe të kujtdo që shkel ligjet dhe vlerat demokratike të vendit tonë.
Ju jeni shembulli më i mirë se si duhet të jetë gazetaria e Kosovës”, përfundoi veprimtari Tahiraj për “Bota sot”.
Ahmeti: Gazeta “Bota Sot” meriton të vlerësohet për kontributin e saj të rëndësishëm në periudha dhe rrethana të veçanta
Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e vlerësoi kontributin e gazetës në periudha të rëndësishme të demokratizimit dhe të ndërtimit të një medieje objektive, duke nxitur lirinë e shprehjes dhe duke ruajtur pavarësinë editoriale përballë trysnive të ndryshme.
“Gazeta “Bota Sot” meriton të vlerësohet për kontributin e saj të rëndësishëm në periudha dhe rrethana të veçanta, kur nevoja për demokratizim dhe për ndërtimin e standardeve të një medieje objektive ka qenë e domosdoshme.
Liria e shprehjes, si një nga shtyllat themelore të demokracisë, është promovuar vazhdimisht nga gazeta “Bota Sot”, e cila ka arritur të ruajë pavarësinë e saj editoriale duke u përballur me presione të natyrave të ndryshme”, shtoi analisti.
Po ashtu, ai nënvizoi se ndihmesa e “Bota Sot” ka ndikuar në emancipimin shoqëror, në forcimin e demokracisë dhe në rritjen e vetëdijes qytetare, përmes promovimit të vazhdueshëm të vlerave demokratike.
“Ky kontribut i çmuar ka ndikuar dukshëm në emancipimin dhe progresin shoqëror, në forcimin e institucioneve demokratike, si dhe në ngritjen e vetëdijes kolektive të qytetarëve. Përmes punës së saj të vazhdueshme, gazeta “Bota Sot” ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në promovimin e vlerave demokratike në shoqëri”, përfundoi njohësi Ahmeti për “Bota sot”.
