Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, bëri të ditur se në mbledhjen e zhvilluar sonte me strukturat e partisë është marrë vendimi që të premten të organizohet protestë në Sheshin Iliria.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rexhepi thekson se Komuna e Tetovës mban përgjegjësi si bashkautore për anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve.
Të lidhura
None found
Ai shkruan se në takimin e strukturave partiake të BDI-së – Dega Tetovë, në praninë e liderit Ali Ahmeti, është vendosur që Tetova të mos heshtë përballë, siç e cilëson ai, një akti poshtërues ndaj historisë, identitetit dhe dinjitetit të qytetit. Sipas tij, pas mungesës së reagimit nga Komuna e Tetovës ndaj kërkesës për seancë urgjente dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se për afro një vit Komuna katër herë nuk u është përgjigjur kërkesave për dokumentacion, bëhet e qartë se nuk bëhet fjalë për pakujdesi, por për bashkëautorësi.
Rexhepi e paraqet këtë zhvillim jo thjesht si çështje të emrave të rrugëve, por si një përpjekje për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo arritje shqiptare të ndërtuar me sakrificë gjatë 20 viteve të fundit.
Ai shton se Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare, duke theksuar se nga ky qytet kanë nisur dhe do të nisin lëvizje që i çojnë shqiptarët përpara. Për këtë arsye, sipas tij, nuk pranohet kthimi pas dhe asgjë më pak se dinjiteti i plotë.
Në fund, ai fton që të premten, më 26 qershor, në ora 20:00, nga Sheshi Iliria, çdo qytetar, intelektual, zë i lirë dhe atdhetar, pa dallim bindjeje politike, t’i bashkohet Marshit Protestues.
“Eja edhe ti. Zëri yt është zëri i Tetovës!”, përfundon thirrja e Bajram Rexhepit.
