Policia e Kosovës ka sjellë nga Belgjika në Kosovë një shtetas kosovar që ishte në kërkim me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it, ndërsa në një tjetër veprim në Prishtinë ka ndaluar një shtetas gjerman të kërkuar nga autoritetet spanjolle, po ashtu me urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it.
Në rastin e parë, të mërkurën Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera policore dhe institucionet e drejtësisë, ka kryer ekstradimin e shtetasit kosovar me inicialet L.B. nga Belgjika drejt Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, ai ishte vënë në pranga nga autoritetet belge, pasi INTERPOL-i e kishte shpallur në kërkim përmes letër-rreshtimit ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Pas ekstradimit, L.B. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, ku do të vazhdojnë procedurat ligjore.
Po ashtu të mërkurën, rreth orës 13:45, zyrtarët e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkërendim me Policinë e rajonit të Prishtinës, arrestuan shtetasin gjerman me inicialet A.J.
Policia njoftoi se ai ishte në kërkim nga INTERPOL-i mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të nxjerrë nga autoritetet e Spanjës.
Sipas urdhrit të prokurorit kujdestar, i ndaluari është dërguar në mbajtje policore për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vijojnë procedurat e parapara me ligj.
