Dogana e Kosovës pritet që së shpejti ta zgjerojë përdorimin e skanerëve mobilë X-Ray edhe në vendkalimet e tjera kufitare të vendit, përfshirë ato me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pas vënies në funksion të skanerit të parë në pikën kufitare të Merdarës.
Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, pas instalimit dhe aktivizimit të skanerit në Merdar, objektiv mbetet që gradualisht të mbulohen të gjitha pikat kryesore kufitare me pajisje moderne për kontrollin e mallrave dhe automjeteve.
Të lidhura
None found
Skaneri mobil X-Ray në Merdar është siguruar si donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit EXBS dhe është cilësuar si një nga pajisjet më moderne për kontrollin e ngarkesave dhe identifikimin e rreziqeve në kufi. Pas instalimit, Dogana e Kosovës ka kryer trajnimin e stafit dhe testimin e pajisjes para se ajo të vihej në përdorim.
Kjo teknologji lejon kontrollin e kamionëve dhe ngarkesave pa qenë e nevojshme hapja fizike e tyre, duke shkurtuar kohën e procedurave doganore dhe duke rritur mundësitë për zbulimin e kontrabandës, armëve, drogës dhe mallrave të padeklaruara.
Çështja e vendosjes së skanerëve në kufijtë e Kosovës është trajtuar prej disa vitesh. Në vitin 2024, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se hapja e plotë e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave nga Serbia do të kushtëzohej me sigurimin e skanerëve modernë për kontrollin e ngarkesave. Në atë periudhë, Dogana e Kosovës kishte nisur procedurat për blerjen e skanerëve mobilë, ndërsa partnerë ndërkombëtarë kishin ofruar mundësinë e donacioneve për këto pajisje.
Po ashtu, në tetor të vitit 2024, autoritetet kishin njoftuar se pikat e tjera kufitare do të hapeshin dhe do të pajiseshin me skanerë sapo të sigurohej infrastruktura e nevojshme teknologjike.
Sipas Doganës së Kosovës, zgjerimi i rrjetit të skanerëve në pikat kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendkalimet e tjera ndërkombëtare pritet të forcojë sigurinë kufitare, të përshpejtojë procedurat doganore dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave në hyrje dhe dalje të vendit.
