Teksa 15 korriku po afron, afati i fundit për dorëzimin në Kuvend të hartës së re territoriale, klima e mirëkuptimit e shfaqur më herët mes PD dhe PS gjatë dëgjesave nëpër qarqe në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale duket se është zbehur nën temperaturat e larta të qershorit.
Në sallën e kryesisë së Kuvendit në Tiranë, mbledhja e komisionit u shoqërua me përplasje të forta, pasi përfaqësuesit e opozitës këmbëngulën që në proces të përfshihej edhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës në Strasburg.
Të lidhura
None found
Debati u ndez më tej kur deputetja demokrate Ina Zhupa mori fjalën dhe nisi të fliste për protestën. Në atë moment, kryebashkiaku socialist i Gramshit, Besion Ajazi, i pranishëm në dëgjesë si i ftuar, i kërkoi që diskutimi të përqendrohej te çështja për të cilën ishte thirrur dhe jo te politika e ditës me Flamingo brenda.
“Të nderuar kolegë, nuk kam ndërmend as t’ju kërkoj çfarë do flas, as t’ju pëlqej për atë që po flas. Ju mund të prisni. Mungesa e durimit reflektohet në atë sheshin të mbushur me qytetarë. Keni një pushtet vendor që sot nuk ka zë. Vetë po t’i pyesësh, ata të thonë që nuk e kanë idenë se çfarë planesh kanë mbi bashkinë e tyre. Po ti do vendosësh se ca është procedura… rri aty, mbaj vendin si i ftuar”, u shpreh Zhupa.
Menjëherë reagoi bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbian Mazniku, i cili iu kundërpërgjigj deputetes së PD-së.
“Mos i thuaj asnjë të zgjedhuri nga qytetarët ‘rri e mbaj vendin’. Ai atje ka marrë më shumë vota sa ty”, tha Mazniku.
Mazniku këmbënguli gjithashtu që të respektohej afati i 15 korrikut për paraqitjen e raportit në Kuvend, duke theksuar se më pas do të jetë vetë Kuvendi ai që do të vendosë se çfarë do të ndodhë me tej me këtë reformë.
