Gjermania pritet që deri në vitin 2030 të alokojë qindra miliarda euro për mbrojtjen, ndërsa specialistët e buxhetit ngrenë shqetësimin se kjo mund të sjellë çmime të fryra dhe shpërdorim fondesh.
Mes zgjerimit të ndjeshëm të buxhetit të mbrojtjes, ekspertët financiarë në Bundestag dhe Enti Federal i Kontrollit të Shtetit dhe Auditimit kanë paralajmëruar se industria e armatimeve mund të përfitojë me rritje të tepruara çmimesh. Andreas Schwarz, raportues i SPD-së për buxhetin e mbrojtjes, deklaroi për agjencinë Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND) se në këtë sektor vihet re një tendencë e fortë për shtrenjtim. Sipas tij, “Kur klienti quhet Bundeswehr, vihen çmime të tjera”.
Të lidhura
None found
Sebastian Shefer, politikani i të Gjelbërve për çështjet e buxhetit, kritikoi koston e projekteve të prokurimit për ushtrinë gjermane Bundeswehr, duke theksuar se në disa raste ato rezultojnë tepër të larta krahasuar me standardet ndërkombëtare. Si ilustrim, ai dhe Schwarz përmendën kontejnerët e karburantit për trupat e Bundeswehrit, ku mbetet e paqartë se çfarë i ka shkaktuar rritjet e mëdha të kostove.
Sipas njoftimeve të RND-së, brenda katër viteve çmimi për njësi i këtyre kontejnerëve është dyfishuar, duke kaluar nga 142.000 në rreth 291.000 euro. Për shkak të kësaj situate, ekspertët e buxhetit kanë bllokuar përkohësisht vijimin e porosive për kontejnerë karburanti. Schwarz tha se një prej arsyeve të këtij zhvillimi lidhet me mungesën e konkurrencës dhe kërkoi që në të ardhmen kjo çështje të mbikëqyret më rreptësisht përmes ligjit të konkurrencës.
Edhe Enti Federal i Kontrollit të Shtetit dhe Auditimit vlerësoi se fondi i posaçëm për ushtrinë mund të ketë ndikim negativ në ecurinë e çmimeve. Në një raport të posaçëm të majit 2025 thuhet se, kur një organizatë përfiton shumë më tepër para në dispozicion brenda një periudhe të shkurtër, shtohet rreziku për shpenzime joefikase. /DW
