Gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën në Moskë përpara qindra të sapodiplomuarve të akademisë ushtarake, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Perëndimi, nën drejtimin e NATO-s, po bëhet gati për luftë kundër Rusisë.
Sipas tij, deri tani vendet e aleancës janë kufizuar në mbështetjen ndaj Ukrainës. Por, shtoi presidenti rus, tani në Perëndim po flitet hapur se ata “përgatiten për luftë kundër nesh dhe po rrisin shpenzimet e tyre ushtarake”.
Të lidhura
None found
“Në këtë kontekst, ata po citojnë pretendime të rreme për një kërcënim të supozuar ushtarak nga Rusia”, tha Putin.
Ai nënvizoi gjithashtu se Rusia është e përgatitur të reagojë ndaj çdo rreziku. “Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi në mënyrë operative dhe të përshtatshme çdo lloj kërcënimi”, theksoi presidenti i Federatës Ruse.
Aktualisht, pothuajse 40% e buxhetit rus shkon për shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe për financimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë mbështetur Kievin me ndihmë të gjerë ushtarake dhe ekonomike.
Meqenëse përfundimi i luftës ende nuk duket në horizont, në një pjesë të vendeve perëndimore është shtuar shqetësimi për mundësinë e një përplasjeje me Rusinë, çka ka sjellë edhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen.
