Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga flakë të mëdha, përfshiu këtë pasdite qendrën e biznesit Cuatro Torres në Madrid, duke shkaktuar panik dhe duke çuar në evakuimin e plotë të kullës Moeve (ish-Cepsa), një prej rrokaqiejve më të lartë në Spanjë.
Të dhënat e para tregojnë se shpërthimi ka ndodhur në katin e 16-të të godinës 45-katëshe. Si pasojë, u krijua një vatër e madhe zjarri dhe një re e dendur tymi, e cila u pa edhe nga zona të largëta të kryeqytetit spanjoll.
Të lidhura
None found
Deri në këto momente, autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për tre persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar brenda ndërtesës.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje u angazhuan shumë forca zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës së Samur. Sipas policisë spanjolle, flakët tashmë janë vënë nën kontroll, por puna për evakuimin dhe verifikimin e ndërtesës ende nuk ka përfunduar.
Për shkak të tymit të dendur, autoritetet urdhëruan largimin e menjëhershëm nga kulla, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë përpjekjet për të gjetur tre personat e zhdukur. Siç raporton agjencia Europa Press, rikthimi i punonjësve dhe vizitorëve do të lejohet vetëm pasi të konfirmohet siguria e plotë e objektit.
Një dëshmitar okular, i cili punon në një godinë pranë zonës së incidentit, tha se qindra persona dolën nga ndërtesa në mënyrë të organizuar. “Njerëzit po vraponin, por kishte qetësi”, u shpreh ai, duke nënvizuar se stërvitjet e mëparshme për evakuim ndihmuan në përballimin e situatës.
Kulla Moeve, e njohur më parë si Torre Foster, është në pronësi të biznesmenit spanjoll Amancio Ortega që prej vitit 2016. Me 248 metra lartësi dhe 45 kate, ajo konsiderohet një nga ndërtesat më të larta në Spanjë dhe është pjesë e kompleksit të njohur Cuatro Torres Business Area. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit, ndërsa godina kishte regjistruar edhe më herët një incident të ngjashëm me zjarr.
