Më shumë se 200 persona janë arrestuar nga policia turke, e cila njoftoi të martën se të ndaluarit dyshohen për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe me organizata të ndaluara të së majtës ekstreme.
Këto operacione u kryen pak para samitit të NATO-s, i cili do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik.
Të lidhura
None found
Sipas Zyrës së Prokurorit në Ankara, në kryeqytet janë ndaluar 209 persona, ndërsa 32 të tjerë janë ende në arrati.
Prej të arrestuarve, 185 dyshohen se janë pjesë e disa organizatave të majta ekstreme, të cilat Ankaraja i konsideron terroriste.
Mes këtyre grupeve përfshihet edhe Fronti-Partia Revolucionare e Çlirimit të Popullit (DHKP-C), që më herët ka marrë përsipër përgjegjësinë për disa sulme të kryera në Turqi.
Autoritetet bënë të ditur se aksionet kishin në fokus disa grupe dhe ishin pjesë e masave më të gjera të sigurisë.
Të hënën vonë, Zyra e Guvernatorit të Ankarasë njoftoi se të gjitha protestat do të ndalohen nga 28 qershori deri në përfundim të samitit të NATO-s.
Në këtë samit pritet të marrin pjesë udhëheqësit e 32 vendeve anëtare, mes tyre edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Takimi do të zhvillohet në një periudhë të ndjeshme për sigurinë evropiane dhe euroatlantike.
Në muajt e fundit, Aleanca është përballur me trysni, edhe për shkak të ndryshimeve në politikën e SHBA-së, të cilat shkojnë përtej kërkesave për forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s.
Ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohen në samit janë planifikimi i mbrojtjes dhe parandalimit (deterrencës), objektivat për shpenzimet ushtarake dhe ndarja e barrës mes aleatëve, mbështetja e mëtejshme për Ukrainën — përfshirë dërgimin e pajisjeve, mekanizmat e financimit dhe forcimin afatgjatë të rezistencës — si edhe drejtimi i ardhshëm i Aleancës.
Javën e kaluar, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare zhvilluan mbledhjen e fundit para samitit në Ankara.
Sekretari i përgjithshëm Mark Rutte deklaroi se është arritur “përparim i mirë” në prioritetet e NATO-s.
“Të shpenzojmë më shumë dhe më mirë për forcat dhe kapacitetet që na duhen për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës. Sot në tryezë dëgjova aleatë, njëri pas tjetrit, që shpjegonin se si po i rrisin investimet në mbrojtje”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm nënvizoi po ashtu rëndësinë që aleatët evropianë dhe Kanadaja të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, me mbështetjen e fuqisë amerikane.
/REL
