Kaos u shënua në një fluturim të Ryanair me destinacion Mbretërinë e Bashkuar, kur një pasagjer në gjendje të dehur u përfshi në përleshje me oficerët e policisë që ndërhynë për të ulur tensionet pas një sherri me partneren e tij.
Udhëtarët në bord mbetën të shokuar, ndërsa në video shihet burri, për të cilin dëshmitarët thanë se ishte i dehur, duke goditur me grusht në fytyrë një efektiv policie.
Të lidhura
None found
“Ata ishin shumë të dehur para se të niseshim nga Edinburgu. Mes çiftit pati një debat dhe aty nisi gjithçka. Disa pasagjerë u frikësuan dhe mbetën të tronditur nga ajo që ndodhi”, tha një prej udhëtarëve.
Nga pamjet filmike duket se pas incidentit të parë, tre oficerë policie përpiqen ta vënë burrin nën kontroll, duke e mbajtur të shtrirë në dysheme, ndërsa njëri prej tyre qëndron sipër për ta imobilizuar.
Videoja tregon gjithashtu se një prej oficerëve tenton ta neutralizojë me goditje, ndërsa një tjetër përdor një shkop policor gjatë ndërhyrjes.
Më herët, drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, ka deklaruar se pothuajse çdo ditë një fluturim detyrohet të devijohet për shkak të incidenteve të shkaktuara nga pasagjerë problematikë.
Ai ka kërkuar vendosjen e një kufiri prej dy pijesh alkoolike për pasagjerët në baret e aeroporteve, duke theksuar se nuk e kupton përse u shërbehet alkool udhëtarëve që në orët e para të mëngjesit.
