Në fabrikën Factory Zero, General Motors (GM) ka vënë në funksion rreth 50 robotë bashkëpunues, të njohur si cobots, vetëm pak javë pasi largoi nga puna mbi 1.000 punonjës dhe uli planet për zgjerimin e prodhimit të automjeteve elektrike.
Sipas James Cotton, president i sindikatës UAW Local 22, këta robotë të rinj, të prodhuar nga FANUC, operojnë përkrah punëtorëve në linjën e montimit dhe vendosin pjesë të ndryshme në automjete.
Të lidhura
None found
Cotton thotë se këto sisteme po marrin përsipër punë që më herët realizoheshin nga vetë punonjësit.
“Është gjithmonë shqetësuese kur sheh robotë që vijnë në një fabrikë, sidomos pasi janë pushuar nga puna mbi një mijë njerëz. Nëse kjo është e ardhmja, atëherë po u merren vendet e punës njerëzve”, deklaroi Cotton.
Ndaj GM-së, sindikata ka dorëzuar ankesa zyrtare, duke ngritur njëkohësisht shqetësime edhe për sigurinë e punëtorëve që punojnë pranë robotëve.
Nga ana e kompanisë, zëdhënësi Kevin Kelly u shpreh se vendosja e robotëve lidhet me strategjinë e GM-së për të integruar teknologji më të avancuara në procesin e prodhimit.
Ai theksoi se robotët kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe ergonomisë për punëtorët, ndërsa njëkohësisht e bëjnë prodhimin më fleksibël dhe më konkurrues.
Ndërkaq, profesori Marick Masters nga Wayne State University vlerëson se sindikata do të duhet të përforcojë dispozitat në kontratat kolektive që lidhen me përdorimin e robotëve dhe teknologjive të avancuara. /Telegrafi/
