Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njoftoi të hënën se, në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ka firmosur vendimin për aktin nënligjor që përcakton ndarjen e çmimit që mban emrin e tij.
Ajo bëri të ditur se çmimi “Sali Çekaj” u kushtohet personaliteteve që kanë dhënë një kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në rrjete sociale, Gërvalla e cilësoi Sali Çekajn si një nga figurat më të spikatura të historisë së Kosovës, duke vënë në pah rolin e tij si “komandant i UÇK-së, politikan vizionar dhe jurist i dalluar”.
Sipas saj, përkushtimi i tij për lirinë e vendit, bashkë me angazhimin profesional, e shndërrojnë Çekajn në një figurë që frymëzon breza juristësh në Kosovë.
“Figura e Sali Çekajt, krahas figurës së komandantit të UÇK-së dhe politikanit vizionar, me përkushtim të parezervë për lirinë e vendit deri në flijim në ballë të frontit, rrezaton edhe si figurë e një juristi të rrallë, të guximshëm, mendjemprehtë e të vendosur. Figurë që frymëzon breza e breza juristësh në vendin tonë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo theksoi gjithashtu se ky çmim, që bart emrin e Heroit Sali Çekaj, është menduar të vlerësojë individët me kontribut të veçantë në drejtësi, ndërsa njëkohësisht nderon veprën dhe trashëgiminë e tij.
Komandant Sali Çekaj, i vrarë më 19 prill 1999 në krye të detyrës, në Koshare, si komandant i Brigadës 134, vlerësohet si një ndër strategët më të shquar të luftës së Kosovës.
Veprimtaria e tij atdhetare kishte filluar shumë më herët, si në Kosovë, ashtu edhe në ekzil, prej nga më vonë ishte kthyer për të veshur uniformën dhe për t’iu bashkuar luftës për liri.
