Kanë kaluar 27 vjet nga vendimi i rëndësishëm për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa demilitarizimi i saj dhe krijimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës vazhdojnë të konsiderohen si disa prej hapave kyç në forcimin e institucioneve të sigurisë në vend.
Pas përfundimit të luftës, ky proces u zhvillua nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe vendosi themelet për ngritjen e kapaciteteve vendore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky zhvillim do të pasohej vite më vonë me themelimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot është institucioni kryesor për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Të lidhura
None found
Njëzet e shtatë vjet më parë, në malet e Berishës, udhëheqësit e Kosovës morën vendimin për ta transformuar UÇK-në, duke shënuar kështu nisjen e një etape të re në ndërtimin e institucioneve të pasluftës.
Marrëveshja që rregullonte këtë transformim përfshinte disa faza, si dorëzimi i armëve, mbajtja përkohësisht e uniformave dhe përfshirja e një pjese të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në polici, administratë publike dhe institucione të tjera.
I gjithë ky proces u realizua brenda 90 ditësh, periudhë në fund të së cilës përfundoi demilitarizimi i plotë i UÇK-së.
Më 20 shtator 1999 u firmos marrëveshja për themelimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës-TMK, një strukturë që nuk u konceptua si forcë ushtarake, por si organizatë civile emergjente për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera të jashtëzakonshme.
Nënshkrues të marrëveshjes ishin Hashim Thaçi, në cilësinë e komandantit politik të UÇK-së, dhe Agim Çeku, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa ajo u pranua nga gjenerali britanik Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë.
Njëri nga të përfshirët në këtë proces, gjenerali Kadri Kastrati, e vlerëson atë si një moment historik dhe me peshë të veçantë.
Tash, pas më shumë se 2 dekadash, Kastrati flet për Forcën e Sigurisë së Kosovës së sotme, të cilën e cilëson si krenari të vendit.
Transformimi i UÇK-së dhe themelimi i TMK-së konsiderohen si një nga fazat më të rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë. Për shumë ish-pjesëtarë, TMK-ja u pa si vazhdim i përpjekjeve për krijimin e një force mbrojtëse vendore, një synim që u bë realitet vite më vonë me formimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni kryesor i mbrojtjes së vendit, me detyrë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe me objektivin për të dhënë kontribut në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë.
