Kosova po hyn në një etapë të re sa i takon pranisë ndërkombëtare ushtarake, ndërsa reduktimi i KFOR-it po paraqitet si pasqyrim i gjendjes aktuale në terren.
Nga zyrtarët thuhet se vendimet janë marrë me kujdes dhe mbështeten në vlerësime të vazhdueshme për sigurinë, por në një kohë kur ekuilibrat globalë po ndryshojnë, edhe lëvizje të tilla marrin kuptime më të gjera.
Të lidhura
None found
Më 12 qershor, NATO njoftoi se gjatë vitit të ardhshëm do ta përshtatë gradualisht praninë e saj në Kosovë, duke e lidhur këtë me vlerësimin se situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme.
Komandanti suprem i forcave aleate në Evropë, Alexus G. Grynkewich, tha se ky hap lidhet me forcimin e kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë, gjë që ka krijuar hapësirë për zvogëlimin e misionit të KFOR-it.
Aleanca nënvizoi se këto ndryshime do të zbatohen me kujdes, në përputhje me zhvillimet në terren, dhe mund të kthehen prapa nëse rrethanat e kërkojnë.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë për treguesit konkretë që kanë ndikuar në këtë vendim, një zyrtar i NATO-s nuk dha hollësi, duke u thirrur në natyrën konfidenciale të çështjeve operative dhe të inteligjencës, por theksoi se situata ndiqet në mënyrë të vazhdueshme me mjete të ndryshme, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm dhe efektiv.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ky është një zhvillim pozitiv.
“Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, shohim se, në përgjithësi, vitin e kaluar ajo ka vazhduar të përmirësohet. Prandaj, është një lajm i mirë për Kosovën. Kjo është edhe arsyeja përse NATO-ja në janar ka ndaluar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, tha Rutte në një konferencë për media këtë javë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, e lidh këtë vlerësim të NATO-s me shtrirjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit, duke e cilësuar atë si një nga faktorët kyç.
Në dy-tri vitet e fundit, autoritetet kosovare kanë mbyllur shumicën e institucioneve që vepronin në kuadër të sistemit të Serbisë, duke zgjeruar kontrollin shtetëror në mbarë vendin.
Në të njëjtën kohë, në veriun e Kosovës – ku një pjesë e madhe e popullsisë serbe vazhdon të mos i pranojë institucionet e Prishtinës – autoritetet kanë marrë nën administrim disa objekte, të cilat më pas janë përdorur për bizneset shqiptare.
Maqedonci e sheh këtë si një forcim të kontrollit institucional.
“Kosova ka përmirësime në aspektin e sigurisë, veçanërisht pas dëbimit të grupeve terroriste dhe kriminale, të cilat kanë operuar për shumë vite në veri të vendit dhe të cilat, gjithmonë, kanë qenë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm, por edhe më gjerë”, thotë ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999, veriu i Kosovës ka mbetur një zonë me tensione të vazhdueshme, me struktura paralele, barrikada dhe përplasje të përsëritura mes banorëve lokalë dhe forcave të rendit.
Një nga episodet më të rënda u regjistrua në maj 2023, kur dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues serbë që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.
Pikërisht kjo situatë solli dërgimin e përforcimeve shtesë nga NATO.
Sot, KFOR-i numëron mbi 4.600 trupa dhe, sipas Rutte, pritet të bjerë në rreth 3.500, megjithëse ende nuk dihet se cilat kontingjente do të preken nga ky proces.
Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Hungaria, si tri vendet me kontributin më të madh në mision, por përgjigje mori vetëm nga Komanda Evropiane e SHBA-së, e cila paralajmëroi se kontributi amerikan do të përshtatet sipas planit të NATO-s.
“Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje të kontributit amerikan në KFOR – në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut – në përputhje me rishikimin e udhëhequr nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë”, tha një zyrtar i kësaj komande për Radion Evropa e Lirë.
Roli i SHBA-së në KFOR shihet si thelbësor, sepse i jep misionit peshë politike, kapacitete shtesë ushtarake dhe një efekt të fortë parandalues.
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute, i cili në vitin 2002 ka komanduar Brigadën Shumëkombëshe Lindje në Kosovë, vlerëson se vendimi i Komandës Evropiane të SHBA-së buron nga një analizë e kujdesshme e gjendjes në terren dhe nuk duhet interpretuar si shenjë tërheqjeje.
Sipas tij, KFOR-i vazhdon të jetë një mision thellësisht shumëkombësh, ku balanca mes kontributeve amerikane dhe atyre të aleatëve evropianë mbetet vendimtare për funksionimin e tij.
“SHBA-ja ka qenë gjithmonë – siç e thotë edhe NATO-ja – një nga vendet kornizë në KFOR. Që nga fillimi, ajo ka ofruar kapacitete që të tjerët nuk mund t’i sigurojnë, si: shërbime mjekësore të nivelit të lartë dhe aftësi për lëvizje ajrore me helikopterë. Prandaj, kontributi amerikan në KFOR është i rëndësishëm, por jo i vetëm dhe as dominues”, thotë Lute për Exposenë.
Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 590 ushtarë të vendosur në kuadër të KFOR-it, dukshëm më pak krahasuar me mbi 5.000 trupat e dislokuara në vitin 1999, kur misioni u themelua pas përfundimit të luftës.
Diskutimi për një rishikim të mundshëm të kësaj pranie kishte nisur që në fillim të vitit të kaluar, kur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një vizite në Varshavë, kishte paralajmëruar se prania ushtarake amerikane në Evropë mund të rishikohej dhe, eventualisht, të zvogëlohej, në varësi të prioriteteve strategjike dhe kërcënimeve globale.
Në fillim të majit, Pentagoni bëri të ditur tërheqjen e 5.000 trupave amerikane nga Gjermania brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump nuk e përjashtoi mundësinë e reduktimeve edhe në Spanjë dhe Itali.
Për Maqedoncin, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë të përgatitura mirë për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të vendit.
Megjithatë, ai nënvizon se prania amerikane në KFOR vazhdon të jetë jetike për paqen dhe sigurinë.
“Përveç KFOR-it, duhet theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në. Ka një prani të konsiderueshme amerikane brenda reparteve tona, aktiviteteve dhe punës së përditshme, por prezenca në KFOR mbetet e domosdoshme”, thotë ai.
Në këtë kontekst, debati për reduktimin e KFOR-it nuk mund të shkëputet nga një kufizim i hershëm politik që vazhdon të përcaktojë rolin e FSK-së në veri.
Ky kufizim buron nga një zotim i vitit 2013, i formalizuar atëherë nga kryeministri Hashim Thaçi përmes një letre drejtuar NATO-s, sipas së cilës dislokimi i FSK-së në veri mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Pyetja që shtrohet është se si mund të ndikojë ulja e paralajmëruar e pranisë së KFOR-it në këtë realitet.
Maqedonci vlerëson se ky zotim nuk është dashur të jepet, duke argumentuar se FSK-ja, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ka mandat për të vepruar në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet me NATO-n.
“Për ne është e rëndësishme që çdo pjesë e Kosovës të ketë siguri. Besoj se, jo vetëm për çështjen e veriut, por me NATO-n duhet të diskutojmë edhe për çështje të tjera që lidhen me bartjen graduale të kompetencave te Forca e Sigurisë së Kosovës në aspektin e mbrojtjes”, thotë Maqedonci.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse reduktimi i paralajmëruar i KFOR-it e ndryshon mënyrën e koordinimit me institucionet e sigurisë në Kosovë, një zyrtar i NATO-s tha se procesi i “optimizimit” nuk prek marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit me autoritetet vendore.
Ai shtoi se vendosja e FSK-së në veri mbetet e kushtëzuar nga marrëveshjet aktuale dhe nga miratimi i komandantit të KFOR-it.
KFOR-i nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Lidhur me këtë çështje, gjenerali amerikan në pension Douglas Lute thotë se janë NATO-ja dhe autoritetet e Kosovës ato që gjenden në pozitën më të mirë për të vlerësuar nëse kjo marrëveshje ka ende kuptim apo jo.
“Kam besim se komanda e NATO-s në Prishtinë po e ndjek nga afër situatën, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, dhe KFOR-i nuk ka gjasa të marrë përsipër rreziqe të panevojshme”, sipas tij.
Lute shton se, në këtë fazë, përparësia kryesore e Kosovës duhet të jetë politike dhe jo ushtarake.
Ai thekson nevojën për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e lidhur këtë me synimin fillestar të KFOR-it dhe të Rezolutës 1244 të OKB-së për një Kosovë ku mbizotërojnë rendi, ligji dhe bashkëjetesa ndëretnike.
“Sot në Kosovë, politika ka më shumë peshë se siguria. Gjendja e sigurisë është e mjaftueshme për të mundësuar përparim politik, prandaj pritet që, pas zgjedhjeve të fundit, parlamenti dhe qeveria të punojnë së bashku për ta çuar vendin përpara. Është koha për përparim politik”, thotë ai.
Ndonëse Kosova e konsideron Serbinë rrezikun kryesor për sigurinë, një perceptim i ushqyer edhe nga incidente si ai në Banjskë, Lute nuk sheh ndonjë skenar të afërt për ndërhyrje ushtarake.
Përkundrazi, ai e zhvendos fokusin e debatit nga kufijtë drejt brendësisë së shtetit, veçanërisht te forcimi i sundimit të ligjit dhe te qeverisja.
