Përveç rolit të tyre në lëvizjen nga pika A në pikën B, veturat elektrike mund të përdoren edhe si një bateri e madhe për furnizimin me energji të shtëpisë.
Nëse përdoret një përshtatës V2L (Vehicle-to-Load), ato janë në gjendje të japin energji për pajisje të ndryshme shtëpiake.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ndonëse veturat elektrike mund të funksionojnë mirë si power bankë, shfrytëzimi i tyre në këtë mënyrë mund të rezultojë mjaft i shtrenjtë. Kjo del nga një test i ri i realizuar nga klubi gjerman i automobilizmit ADAC.
Për të kuptuar sa efektive dhe sa të sigurta janë veturat elektrike kur përdoren si burime energjie, ADAC testoi modelet BMW iX3, BYD Seal, Kia EV5, MG4, Renault 5 dhe Xpeng G9.
Që një veturë elektrike të mund të përdoret si burim energjie, ajo duhet të ketë karikues dykahësh dhe të mbështesë përdorimin përmes një përshtatësi V2L. Prodhues të ndryshëm ofrojnë përshtatës të ndryshëm, ndërsa vetëm BYD e ka këtë si pajisje standarde.
Gjatë provave, ekspertët gjermanë lidhën disa pajisje të jashtme me veturat elektrike dhe vunë re një të dhënë befasuese: energjia shtesë që shpenzohej nga vetë vetura për funksionin V2L ishte relativisht e lartë.
Kia EV5 regjistroi konsumin më të ulët të brendshëm, rreth 390 vat, ndërsa Renault 5 shënoi konsumin më të lartë, 500 vat. Sipas ADAC, kjo është diçka që përdoruesit duhet ta marrin parasysh, sepse ky shpenzim shtesë është i krahasueshëm me ngarkesën bazë të një shtëpie familjare gjatë natës.
ADAC shkruan se, edhe pse një frigorifer portativ me fuqi 50 vat mund të përdoret për një periudhë kohe, funksionimi i vazhdueshëm nuk konsiderohet efikas.
Nga ana e sigurisë, testet nuk nxorën probleme gjatë përdorimit të veturave elektrike si power bank. Asnjë prej automjeteve nuk pësoi dëmtime, edhe pasi u realizua një qark i shkurtër i planifikuar.
Sidoqoftë, ekspertët vlerësojnë se prodhuesit do të mund ta bënin këtë përdorim më të thjeshtë për përdoruesit.
“Kur bëhet fjalë për njoftimet e gabimeve, Kia është e vetmja që dallohet pozitivisht, pasi shfaq mesazhin ‘Konsumi shumë i lartë’ kur sistemi mbingarkohet”, shkruan ADAC.
Konsumi shtesë i energjisë gjatë përdorimit të V2L:
BYD Seal: 440 vat
Kia EV5: 390 vat
MG4: 400 vat
Renault 5: 500 vat
Xpeng G9: 400 vat
Për modelin BMW iX3, konsumi nuk mundi të matej gjatë testit.
