Vëzhgimet më të fundit kanë nxjerrë në pah një lëvizje të ndërlikuar dhe tepër dinamike të materies, duke treguar se aktiviteti i saj është shumë më i lartë nga sa ishte vlerësuar më herët.
Në fokusin e shkencëtarëve është rikthyer M87*, vrima e parë e zezë që njerëzimi arriti të fotografojë drejtpërdrejt. Duke përdorur Observatorin me Rreze X Chandra të NASA-s, astronomët kanë siguruar deri tani imazhin më të detajuar të rrymave të mëdha të materies që dalin nga kjo vrimë e zezë supermasive, e cila ndodhet në qendër të galaktikës Messier 87.
Të lidhura
None found
Kjo vrimë e zezë hyri në histori në vitin 2019, kur u bë objekti i parë i këtij lloji i fotografuar drejtpërdrejt. Ajo gjendet rreth 55 milionë vite dritë larg nga Toka dhe masa e saj vlerësohet sa afërsisht 6.5 miliardë masa diellore.
Sipas studiuesve, M87* tërheq gazin dhe pluhurin që bien në drejtim të saj. Një pjesë e kësaj lënde përqendrohet drejt poleve të vrimës së zezë dhe më pas hidhet në hapësirë me shpejtësi pranë asaj të dritës, duke formuar rryma gjigante materieje që shtrihen për mijëra vite dritë.
Edhe më parë, këto rryma ishin vëzhguar në gjatësi të ndryshme vale, si në dritën e dukshme ashtu edhe në infra të kuqe. Por të dhënat e reja në spektrin e rrezeve X japin pamjen më të qartë dhe më të imtësishme të arritur deri më sot.
Rezultatet tregojnë se qarkullimi i materialit është dukshëm më i ndërlikuar dhe më aktiv nga sa mendohej. Udhëheqësja e studimit, Camille Poitras, tha se luhatje në këto rryma ishin identifikuar edhe më parë, por asnjëherë nuk ishin parë me këtë shkallë detajimi në rrezet X.
Falë këtyre imazheve të reja, formacione që më herët dukeshin të mbivendosura tani dallohen qartësisht, çka u jep mundësi kërkuesve të ndjekin zhvillimin e tyre përgjatë më shumë se një dekade vëzhgimesh.
Mes gjetjeve më interesante ishte konstatimi se disa prej këtyre strukturave krijonin përshtypjen sikur po lëviznin me një shpejtësi pesë herë më të lartë se ajo e dritës.
Shkencëtarët sqarojnë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë realisht. Sipas ‘Teoria e Relativitetit Special’, asnjë trup me masë nuk është në gjendje të lëvizë me shpejtësinë e dritës apo ta tejkalojë atë. Ajo që është vëzhguar përshkruhet si një iluzion optik, i njohur me termin “lëvizje superluminale”, që shfaqet kur materiali udhëton pothuajse me shpejtësinë e dritës dhe është i orientuar në një kënd të favorshëm drejt Tokës.
Këto vëzhgime të reja konsiderohen një hap i rëndësishëm për të kuptuar proceset fizike që prodhojnë këto rryma gjigante dhe mënyrën se si grimcat përshpejtohen deri në energji dhe shpejtësi kaq të larta.
Sipas studiuesve, këto rryma përbëjnë një nga mekanizmat kryesorë me të cilët vrimat e zeza supermasive shpërndajnë energji në mjedisin përreth, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe evolucionin e galaktikave ku ato ndodhen.
Astrofizikani Gerrit Schellenberger vlerësoi se gjetjet e fundit dëshmojnë kapacitetin unik të observatorit Chandra për të ndjekur në kohë të gjatë evolucionin e fenomeneve më ekstreme të universit.
Ai theksoi gjithashtu se këto vëzhgime i ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më qartë se si energjia e çliruar pranë një vrime të zezë supermasive përhapet përmes rrymave të saj dhe si ndikon më pas në strukturën e galaktikës përreth.
Studimi u prezantua në takimin e 248-të të ‘American Astronomical Society’ dhe rezultatet e tij janë publikuar gjithashtu si paraprint në platformën arXiv.
