Në Çikago u përurua zyrtarisht për publikun Qendra Presidenciale e ish-presidentit amerikan Barack Obama, në një ceremoni të madhe ku u mblodhën katër ish-presidentë të SHBA-së, emra të njohur të politikës dhe dhjetëra artistë të famshëm.
Edhe pse eventi kishte përmasa të mëdha institucionale dhe kulturore, në qendër të vëmendjes u vendosën deklaratat politike të Barack dhe Michelle Obama, të cilët lëshuan kritika të tërthorta ndaj presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump.
Të lidhura
None found
Të pranishëm në ceremoni ishin Joe Biden me bashkëshorten e tij Jill Biden, Bill Clinton me Hillary Clinton, si edhe George W. Bush me Laura Bush. Mungesa e Trumpit u komentua gjerësisht, pasi ai nuk kishte marrë ftesë për aktivitetin.
Sipas një sondazhi të publikuar nga CNN, Obama vijon të ketë nivel më të lartë popullariteti sesa pasardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti demokrat vlerësohet pozitivisht nga 57% e të anketuarve, ndërsa Trump nga 34% dhe Biden nga 30%.
Një nga fjalimet më të forta të mbrëmjes u mbajt nga Michelle Obama, e cila u ndal te kritikat dhe teoritë konspirative që Trump kishte përhapur ndër vite për bashkëshortin e saj. Ajo rikujtoi pretendimet e pabaza se Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe vuri në dukje arritjet e tij gjatë drejtimit të vendit.
“Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të ishte dorëzuar para presionit. Sa absurde është të imagjinosh se ai mund të kishte bërë diçka tjetër përveçse ta bënte familjen tonë dhe të gjithë vendin tonë krenar”, tha ajo.
Më pas, Michelle Obama përmendi disa nga arritjet më të rëndësishme të presidencës së bashkëshortit të saj, mes tyre reforma në shëndetësi, rimëkëmbja ekonomike, përfundimi i një lufte dhe marrja e Çmimit Nobel për Paqen.
“Ju punuat për njerëzit. Ju shpëtuat ekonominë tonë, zgjeruat kujdesin shëndetësor, i dhatë fund një lufte, urdhëruat bastisjen ndaj Bin Ladenit, shpëtuat industrinë e automobilave dhe fituat një çmim paqeje”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Edhe Barack Obama mbajti një fjalim me nëntekst të qartë politik, ku vuri theksin te demokracia, institucionet dhe kalimi paqësor i pushtetit. Pa ia përmendur emrin Trumpit, ai foli për domosdoshmërinë që ushtria dhe forcat e rendit t’i shërbejnë Kushtetutës dhe qytetarëve, e jo një udhëheqësi apo një partie politike.
“Besimi në kontrollet dhe balancat e qeverisë sonë, në një gjyqësor të pavarur dhe një shtyp të lirë, si dhe besimi në transferimin paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelet e demokracisë sonë”, tha Obama.
Ai paralajmëroi edhe për rrezikun e cinizmit dhe humbjes së besimit te procesi demokratik, duke theksuar se në momentin kur qytetarët nuk besojnë më te vota dhe institucionet, krijohet terren për politikanë që e përdorin pushtetin për të goditur kundërshtarët dhe për të favorizuar interesat e tyre.
Në këtë ceremoni morën pjesë gjithashtu edhe figura të rëndësishme ndërkombëtare, si Angela Merkel, Justin Trudeau dhe Matteo Renzi.
Aktiviteti mori edhe përmasa të një spektakli kulturor, me pjesëmarrjen e emrave të njohur si Tom Hanks, Anne Hathaway, Steven Spielberg dhe George Lucas.
Pjesa muzikore e programit solli interpretime nga Bruce Springsteen, Stevie Wonder, Christina Aguilera, Jennifer Hudson, Bono, The Edge dhe Eddie Vedder.
Ndonëse Donald Trump nuk ishte i pranishëm, mesazhet e përcjella nga Barack dhe Michelle Obama e shndërruan inaugurimin e qendrës presidenciale në një ngjarje me ngarkesë të fortë politike, duke rikthyer në qendër të debatit rivalitetin e gjatë mes ish-presidentit demokrat dhe presidentit aktual amerikan.
