Aeroporti i Niamey-t, në kryeqytetin e Nigerit, u godit nga një sulm i ri i dyshuar xhihadist, ku humbën jetën të paktën 13 persona, mes tyre 11 ushtarë dhe 2 civilë.
Objekti strategjik është vënë për herë të dytë nën një sulm të madh brenda gjashtë muajve të fundit.
Të lidhura
None found
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, kur autorët e sulmit, disa prej tyre të pajisur me rripa eksplozivë, tentuan të futeshin në terminalin e aeroportit. Sipas autoriteteve, ndërhyrja e menjëhershme e forcave të sigurisë bëri të mundur ndalimin e tyre përpara se të arrinin qëllimin.
“Bilanci paraprak i këtij tentativi për inkursion është 13 të vrarë nga ana jonë, përfshirë 11 anëtarë të forcave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe 2 civilë, si dhe 4 të plagosur. Nga ana e armikut, 22 sulmues janë neutralizuar dhe rreth 20 persona të dyshuar janë arrestuar”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Autoritetet shtuan se një operacion i gjerë ushtarak vijon ende, ndërsa theksuan se situata është aktualisht nën kontroll. Po sipas tyre, aeroporti ndërkombëtar i Niamey-t mbetet i hapur dhe vazhdon të funksionojë për trafikun ajror.
Megjithatë, platforma e specializuar për monitorimin e fluturimeve, Flightradar, raportoi se pas sulmit disa fluturime me destinacion Niamey-n janë devijuar ose janë vonuar.
