Vedat Muriqi është shumë afër një rikthimi te Fenerbahce, me klubin nga Stambolli që po e sheh sulmuesin kosovar si një nga afrimet më të rëndësishme të merkatos së verës. Bisedimet mes palëve kanë shënuar përparim të madh dhe transferimi duket gjithnjë e më pranë.
Pas përmbylljes së ristrukturimit në nivelet drejtuese, Fenerbahce ka shtuar ritmin në punën për afrimet e reja. Sipas TRT, emri i Muriqit vazhdon të jetë në krye të listës për repartin ofensiv.
Të lidhura
None found
Edhe në afatin kalimtar të dimrit, 32-vjeçari kishte qenë një objektiv i klubit turk, por në atë periudhë nuk u arrit marrëveshje. Tani, me largimin e tij nga Mallorca, kthimi në Turqi shihet si më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Raportimet nga Turqia bëjnë të ditur se Muriqi ka hedhur poshtë ofertat e NEOM dhe Orlando City, pasi përparësinë e ka rikthimi te Fenerbahce. Po ashtu, mësohet se verdheblutë kanë siguruar një marrëveshje paraprake si me futbollistin, ashtu edhe me klubin spanjoll.
Gjatë katër vjetëve e gjysmë te Mallorca, Muriqi kaloi periudhën më të suksesshme të karrierës. Vetëm në sezonin 2025/26, ai shënoi 23 gola në 37 ndeshje, duke u renditur mes sulmuesve më produktivë të kampionatit.
Në total, reprezentuesi i Kosovës realizoi 58 gola në 155 paraqitje me Mallorcën, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit spanjoll.
