Sopoti nuk ka arritur ende të shfaqet si një nga kandidatët kryesorë për ngjitje në Superiore, por mbetet një ekip tejet interesant në Kategorinë e Parë. Megjithëse pozicioni aktual në renditje është disi i ndërlikuar, skuadra librazhdase vazhdon të besojë se mund të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të ngjitet në klasifikim.
Të lidhura
None found
Në një bisedë ekskluzive për “Newsport.al”, portieri Bamba Drissa ka folur rreth përshtatjes së tij në javët e para, vështirësive në mbrojtje dhe synimeve që Sopoti ka për pjesën e mbetur të sezonit.
Pas gjashtë javësh me Sopotin, si po ndihesh në Shqipëri dhe konkretisht në Kategorinë e Parë?
Në të vërtetë, kam qenë në fushë në katër prej këtyre gjashtë takimeve. Ndihem shumë mirë. Shqipëria është një shtet i mrekullueshëm me njerëz jashtëzakonisht mikpritës. Po ashtu, po mësohem shpejt edhe me nivelin e kampionatit, i cili është mjaft cilësor.
Momentalisht Sopoti ndodhet në vendin e 11-të me vetëm gjashtë pikë. Çfarë mund të presim nga ekipi në vijim?
Është e vërtetë që fillimi ynë nuk ka qenë ai që prisnim, por ne mbetemi optimistë dhe të përqendruar te qëllimet tona. Sezoni është i gjatë, si një maratonë. Po stërvitemi intensivisht për të gjetur ritmin e duhur. Kam besim absolut te grupi dhe e di se do të kthehemi edhe më të fortë se më parë.
Ti je një nga elementët më të vlerësuar në Librazhd. Erdhe si një përforcim i rëndësishëm dhe ke fituar menjëherë besimin e ambientit. A e kemi parë tashmë Drissan më të mirë apo më e mira vjen më vonë?
Fillimisht dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë njerëzit në Librazhd për pritjen, vlerësimin dhe respektin që më kanë dhënë. Kjo ka vlerë të madhe për mua. Por ajo që keni parë nuk është ende forma ime maksimale. Kam ende shumë për të dhënë dhe do të vijoj të punoj fort për të arritur nivelin tim më të lartë e për të kontribuar plotësisht për Sopotin.
Ke një bagazh të pasur eksperience jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe thirrjet me ekipet e moshave të Bregut të Fildishtë. Sa i rëndësishëm është për ty demonstrimi i këtij nivoli në një kampionat si Kategoria e Parë?
Patjetër që kjo është një mundësi e artë për mua të sjell këtë eksperiencë këtu. Dëshiroj që klubet shqiptare të kuptojnë se Afrika ka shumë portierë cilësorë e me talent. Shpresoj që prania ime këtu t’i bëjë ata ta shohin dhe ta vlerësojnë këtë realitet.
Skuadra juaj ka pësuar 11 gola deri më tani. A është kjo pasojë e kundërshtarëve të fortë apo mbrojtja e Sopotit mund të bëjë shumë më tepër?
Nga këto 11 gola, unë kam marrë gjashtë. Siç e theksova, kemi pasur disa vështirësi në nisje, por përndryshe kemi një linjë mbrojtëse shumë të mirë. Po punojmë për t’u bërë më kompaktë dhe jam i sigurt se para ndeshjes së ardhshme gjithçka do të jetë në vend.
Cili është qëllimi yt kryesor personal? Dhe për Sopotin, cilat janë objektivat kryesore për pjesën e dytë të sezonit?
Objektivi im personal është të synoj ngjitjen në elitë me Sopotin, të jem ndër gardianët më të mirë të futbollit shqiptar dhe të sjell diçka nga përvoja ime këtu. Synimi ynë si klub është qartësisht Superiore. Do të provojmë dhe do të japim maksimumin për t’u ngjitur atje; nëse nuk e arrijmë dot këtë sezon, do të vazhdojmë të luftojmë përsëri në këtë kategori.




