Kryetari i rikonfirmuar në detyrë pas zgjedhjeve të 23 majit në krye të PD-së, Sali Berisha, teksa falënderoi nga podiumi i foltores së sotme para kryeministrisë (25 maj) ata 40 mijë anëtarë që morën pjesë në votime, hodhi akuza edhe ndaj kreut të qeverisë Edi Rama.
Ai iu përgjigj rivalit të tij politik për deklaratat që bëri sot nga Durrësi në 35 vjetorin e themelimit të PS, ku tha se qëndronin në anën e duhur të historisë dhe se socialistët do integronin Shqipërinë në BE, duke i kujtuar “babanë biologjik” dhe se është pasardhës i një “xhelati”.
Të lidhura
None found
Berisha i cilësoi zgjedhjet në PD si “referendum madhështor” dhe akuzoi mazhorancën se “u përpoq të infiltronte te demokratët njerëz të lidhur me krimin”. Sipas tij, qeveria bëri presion psikologjik ndaj demokratëve për tre muaj me radhë, por nuk ia doli dot, pasi referendumi ishte “madhështor”.
“Përshëndetje atyre 40 mijë demokratë dhe demokrate që dy ditë më parë në nderim të vlerës themelore të botës së lirë, pas një presioni dhe terrorizmi psikologjik tremujor dolën dhe u paraqitën në kutitë e votimit, shprehën vullnetin e tyre, shprehën besim ndaj meje. E theksoj dhe e kam theksuar se ai referendum kishte një vlerë të jashtëzakonshme. Jo se ata që votuan 90 e ca për qind shprehet votëbesimi ndaj meje, por vlera më e jashtëzakonshme e atij referendumi është se ai u ngrit si një gjigant i vullnetit të njerëzve të lirë për t’i thënë Edi Ramës se ne këtu jemi dhe se fundi yt është i shpejtë. Për t’i thënë kreut të Meduzës se muaj e muaj të propagandës tënde me të cilat u përpoqe të na mashtrosh, shkurajosh, me të cilat u përpoqe të shkelmosh mbi vullnetin tonë, i mori Lana dhe se ne këtu jemi, përsëri para kësaj ndërtese në këtë bulevard, më të vendosur se kurrë, të të japim atë që meriton. Ishte madhështor referendumi juaj, jo se votua për Sali Berishën, por se ju dëshmuat se nuk pranoni kurrë të keqen banale, se jeni njerëz me ndërgjegje të lartë politike, elita e kombit shqiptar, se nuk mashtroheni me asgjë, nuk nënshtroheni me asgjë, kurrë ndonjëherë ju keni turpëruar dhe zhveshur regjimin dhe vuvuzelat e tij”, tha Berisha. Mes të tjerash.
Më tej akuzoi PS për ndërhyrje në zgjedhjet e demokratëve:
“Përpjekjet e tij për të infiltruar përfaqësues të organizatave më të rrezikshme kriminale, përpjekjet e tyre për të promovuar të përdalë që ikin nga kjo parti te të tjerat dhe pastaj kujtonin se do riktheheshin përsëri te kjo parti. Ju ishin madhështore, mbrojtët demokracinë direkte, mbrojtët referendumin. Muaj të tërë puthadorët e regjimit, shushunja që ushqehen me djersën, mundin, gjakun, e njerëzve të punës së këtij vendi që ushqehen me taksat e tyre, 24 në 24 orë bënë gjithçka të përbaltnin formën më sublime, më përfaqësuese, demokracinë direkte, në emër të kujt? Në emër të një bastardi, pasardhës xhelatësh, që ka 17 vite që në partinë e tij nuk voton asnjëherë. Në emër të një bastardi, ky rebel në mënyrë antikushtetuese votën e shqiptarëve, në emër të një bastardi që edhe sot mbron trashëgiminë kriminale të partisë së gjenocidit”.
Berisha iu adresua edhe kryeministrit Rama për të kaluarën e tij, duke iu përgjigjur për fjalimin e mbajtur në Durrës, ku e cilësoi PD si mbeturinë të komunizmit.
“Edhe sot deklaronte se kemi qenë në anën e drejtë të historisë, edhe sot mbronte të atin xhelat që firmosi varjen në litar të poetit atdhetar, tribunit të lirisë, Havzi nela, një vit para shembjes së Murit të Berlinit. Në vend të një falje publike ka sjell në qeverisje moralin e etërve të tij mizorë e xhelatë. Ka risjellë në sallat e gjykatave kafazët e etërve të tij barbarë ndaj kundërshtarëve politikë, ky burracak, ky puthador dhe lëpirës, që është gati të shesë gjithçka për interesin e tij. Ky është turp i dheut, turp i kombit, turp i historisë. Në Durrës ndërton rrugë në emrin e të atit Kristaq Rama me kryemafiozin Vangujush Dako, në Tiranë me një mafioz tjetër shpërndan mirënjohje për skulptorin xhelat, babanë e tij biologjik, ky xhelat që s’ka lënë akuzë dhe tani shpërndan mirënjohje”, tha ai.
Kryedemokrati vijoi diskursin e tij duke komentuar edhe mbledhjen ndërqeveritare nesër në Bruksel për raportin IBAR dhe nisjen e mbylljes së negociatave me BE.
Ai theksoi se raporti i parë që përpiqej të kalonte Rama u përmbys fal betejës së opozitës dhe tani në atë raport kryeministri gjen “Lubi Ballukun dhe Lindat e tij”.
“Edi Rama, referendumi i demokratëve të ka tmerruar, e ke ndjerë gjer në palcë, bëre gjithçka ta përbaltësh, por të dhanë përgjigjen më të merituar. E shtuna e tregoi. Ne do të përmbushim misionin tonë. Nesër Rama shkon në Bruksel për konferencën ndërqeveritare për IBARI-n. Nuk ka dokument ndërkombëtar në historinë e këtij vendi në të cilët ju qytetarët keni përfaqësuar me dinjitet sesa nesër, në atë sallë, në atë forum, pasi raporti i lobimit korruptiv u përmbys, dhe raporti i ri është raporti ku Edi Rama gjen Lubi Ballukun, gjen Lindat e tij të përlyera, Rama gjen kartelet e drogës, gjen mafien, gjen oligarkët, gjen censurën, gjen gjithçka për të cilat ju keni protestuar. Edi Rama është në rreth të kuq, në përmbajtjen e tij si në asnjë rast tjetër, kreu i Meduzës, nga alfa te omega demaskohet për atë që është. Do i dëgjoni ju, mos u çudisni. Tani zëri ynë është më i fortë, vendosmëria e vullneti më i madh se kurrë”, vijoi ai fjalën e tij.
Berisha u shpreh se opozita do i rikthehej së shpejti protestave që i cilësoi kryengritje paqësore.
“Ne prapë do rikthehemi në kryengritjen tonë paqësore. Do i rikthehemi të marrin atë që meritojnë. Në rrjeshtat e parë të raportit që firmoset nesër, në fjalitë e para të raportit, zgjedhjet damkosen si farsë e partisë shtet, kjo është kushtrim për çdo shqiptar”, tha ai.
Në fund iu përgjigj kryeministrit edhe për akuzat që hodhi nga Durrësi për “molotovët” dhe “flamujt gjermanë” në protestat e opozitës, për të nxirë Shqipërinë. Berisha tha se flamuri i demokratëve është vota e lirë dhe se nuk do dorëzoheshin deri në rrëzimin e këtij regjimi.
“Ky sharlatan përmendte sot jo flamur gjerman, jo ai, ne kemi respekt për kombet mike, por respektin absolut flamuri që ne vëmë është flamuri i votës së lirë, ja të vdesim ja të rrojmë është motoja jonë. Edi Rama mësoje mirë ti e kushdo tjetër, se flamuri ynë është ai i votës së lirë dhe për të kthyer votën e lirë nuk ka sakrificë që nuk do bëjmë, nuk ka forcë që na ndalon ne në kilometrin e fundit ku kemi arritur me sakrifica, guxim e vendosmëri, ecim të sigurtë drejt kësaj beteje. Dhe 23 maji e provoi mirë, provoi qartë se cila është forca e luftëtarëve të lirë, njerëzve që duan Shqipërinë. Nuk dorëzohemi gjer në rrëzimin e këtij regjimi”, tha Berisha.
