Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve, u zhvilluan homazhe në nder të efektivëve të rënë në krye të detyrës, në një ceremoni ku morën pjesë drejtues të lartë të institucioneve të sigurisë dhe familjarë të dëshmorëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, në fjalën e tij theksoi simbolikën e kësaj dite për çdo punonjës policie, duke e cilësuar uniformën si një betim dhe përgjegjësi që shkon përtej detyrës së përditshme.
Të lidhura
None found
“5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme.
Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban.
Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës.
Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet, se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”, tha drejtori Hita.
