Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka shënuar një performancë pozitive gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, duke tejkaluar mesataret rajonale dhe ato të Bashkimit Europian.
Në një konferencë për shtyp, Ibrahimaj theksoi se, “për 3-mujorin e fundit të vitit 2025 rritja ekonomike ishte 3,8%, një rritje më e lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, e cila ishte 1,4% dhe më e lartë gjithashtu sesa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor që rezultoi 3%”.
Të lidhura
None found
Duke krahasuar me vendet e rajonit, ministrja theksoi se Kosova regjistroi një rritje prej 3,9%, Maqedonia e Veriut 3,8%, Serbia 2,2% dhe Mali i Zi 1,5%. Ndërkohë, në disa prej vendeve partnere të Bashkimit Europian, rritja ekonomike ishte më e ulët: Italia 0,4%, Greqia 2,3%, Gjermania 0,2%, Franca 0,9% dhe Kroacia 2,5%.
Sipas Ibrahimajt, ekonomia shqiptare ka ruajtur në tremujorin e katërt të njëjtin trend të gjithë vitit, ku rritja është mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve.
“Kontributin kryesor pozitiv në tremujorin e katërt e ka dhënë sektori i ndërtimit, me një ndikim prej 1,17 pikë përqindje në rritje. Po ashtu, administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia kanë kontribuar me 1,02 pikë përqindje”, u shpreh ajo.
Ministrja shtoi se aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë dhënë një kontribut prej 0,32 pikë përqindje, ndërsa tregtia, transporti dhe akomodimi 0,22 pikë përqindje.
Ndër sektorët me performancën më pozitive, ajo veçoi ndërtimin, administrimin publik, arsimin dhe shëndetësinë, si dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Gjithashtu, tregtia dhe aktivitetet e lidhura me artin, argëtimin dhe çlodhjen kanë shfaqur ecuri pozitive.
Nga ana tjetër, performancë negative në këtë periudhë ka shënuar sektori i informacionit dhe komunikacionit.
“Brenda këtij sektori, shërbimet e teknologjisë së informacionit kanë pasur rritje prej 1,43%, por rënia e përgjithshme është ndikuar nga ecuria negative e telekomunikacionit dhe aktiviteteve të marketingut dhe publicitetit”, theksoi Ibrahimaj.
Investimet e huaja arritën 17 miliardë euro, eksportet 10 miliardë euro
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare po vijon të shfaqë stabilitet dhe rezistencë ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme, e reflektuar në përmirësimin e treguesve kryesorë ekonomikë dhe financiarë.
Gjatë një prezantimi për mediet mbi ecurinë e ekonomisë, Ibrahimaj theksoi se stoku i borxhit publik ka pësuar rënie, duke zbritur në 53% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, nga 54,2% që ishte në vitin 2024.
Në fushën e investimeve, ajo bëri të ditur se investimet e huaja direkte në stok janë rritur me 10.3%, duke arritur në rreth 17 miliardë euro. Ndërkohë, fluksi i investimeve për vitin 2025 arriti në 1,64 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3,5% krahasuar me një vit më parë.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rritjen e rezervave valutore me 16,7%, të cilat mbulojnë rreth 7,3 muaj importe, një tregues ky që sipas saj dëshmon për qëndrueshmërinë dhe kapacitetin përballues të ekonomisë shqiptare.
Sa i përket tregtisë së jashtme, struktura e eksporteve dominohet nga shërbimet me 84,4% të totalit, ndërsa mallrat përbëjnë 15,6%. Në total, eksportet arritën në 10 miliardë euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin 2024.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë rritje ka dhënë sektori i turizmit. Sipas Ibrahimajt, eksportet nga turizmi arritën në 5,7 miliardë euro gjatë vitit 2025, me një rritje prej 14,7% në krahasim me vitin paraardhës.
Në përfundim, ministrja theksoi se këta tregues konfirmojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe në zhvillim, duke krijuar bazë të fortë për rritje të mëtejshme dhe përballim të sfidave në të ardhmen.
