Play-off-i i Botërorit/ Kosova luan shanset e saj në Sllovaki, kërkon finalen e “Fadil Vokrrit”

Jo vetëm kuqezinjtë, në fushë sot zbresin edhe “Dardanët”, me të njëjtin objektiv: Botërorin 2026. Shorti i Play-off-it e ka vënë Kosovën përballë Sllovakisë, me të cilën ndeshet sot në Bratisllavë. Ndoshta një ndeshje më e balancuar se ajo mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Franko Foda ka treguar një formë më të mirë dhe pavarësisht mungesave që ka sot, ku veçohet ajo e kapitenit Amir Rrahmani, ka shanse reale për të shkuar në finalen e Play-off-it.

Të lidhura

None found

Kosova ka një avantazh. Ndryshe nga Shqipëria, nëse kalon Sllovakinë, ndeshjen finale do ta luajë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku do të presë fituesin e çiftit Turqi-Rumani. Do të ishte vërtet diçka e jashtëzakonshme.

Trajneri gjerman pritet që sot të hedhë në fushë një formacion me rreshtimin 3-5-2. Në portë luan portieri i Sasuolos, Arijanet Muriç, ndërsa në mbrojtje mund të aktivizohen Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari.

Në krahët e mesfushës pritet të luajnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, kurse në qendër Elvis Rexhbecaj, Florent Muslija dhe Veldin Hoxha. Në sulm nuk ka dyshime, luajnë Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi.