Pamje të siguruara nga vendngjarja në fshatin Kurjan te Fierit, tregojnë praninë e forcave të policisë dhe banorëve të zonës, pas krimit të rëndë ku një i moshuar vrau bashkëshorten dhe më pas veten.
Në pamje shihen efektivë të policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë në terren për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa disa banorë janë mbledhur pranë banesës ku ndodhi ngjarja.
Sipas banorëve të zonës, çifti i bashkëshortëve kanë pasur konflikte verbale që janë dëgjuar prej tyre, ndërsa dyshohet se autori mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin që kreu krimin.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 14:30, shtetasi Shefit Rrapaj rreth 80-vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri (pushkë) bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj rreth 75-vjeçe, brenda banesës së tyre, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Sakaq, policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë krim të dyfishtë.
