Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë qëndrimit në Bruksel, foli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, marrëdhëniet e PD-së me Partinë Popullore Europiane (PPE), si dhe raportet me institucionet europiane.
Berisha u shpreh se PPE mbështet fuqishëm Partinë Demokratike, duke theksuar se marrëdhëniet mes tyre janë të ngushta dhe të konsoliduara ndër vite. Ai kujtoi se PD është bërë pjesë e këtij grupimi vetëm pak vite pas themelimit të tij dhe sot gëzon statusin e anëtarit të asociuar.
Duke u ndalur te integrimi i Shqipërisë në Bashkimi Europian, Berisha deklaroi se procesi është bllokuar për shkak të, sipas tij, korrupsionit të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Ai shtoi se PPE mbështet një integrim të bazuar në meritë, në përputhje me kërkesat e opozitës.
Berisha theksoi gjithashtu se, ndërkohë që vende të tjera të rajonit po avancojnë në procesin e integrimit, Shqipëria ka mbetur pas, duke e lidhur këtë situatë me atë që ai e cilësoi si “probleme serioze korrupsioni”.
Berisha: Sot, grupimi më i madh politik i Evropës, grupim politik që ndërtoi Evropën e pasluftës me kontributin më kryesor, mblidhet në 50-vjetorin e themelimit të PPE. PD është anëtare tre vite pas themelimit të saj, sot është anëtare e asociuar, sepse anëtarësia e plotë këtu përcaktohet nga anëtarësia e vendit në Bashkimin Evropian. Por ka lidhje të shkëlqyera, lidhje të ngushta. Para dy javësh, një mision i gjerë me përfaqësues të 30 partive politike ishte në Tiranë në mbështetje të PD. Sot festohet në një ceremoni 50-vjetori me rezultate të shkëlqyera. Nesër është samiti i zgjeruar në të cilin marrin pjesë të gjithë kryetarët e shteteve, kryeministrat e partive të qendrës së djathtë dhe kryetarët e partive opozitare të vendeve anëtare dhe të vendeve të asociuara të ftuara në këtë samit. Samiti është një ngjarje shumë e rëndësishme që përcakton qëllimet e përbashkëta të PPE për çështjet madhore të kohës”, ka thënë Berisha.
Raporti i PD me Partinë Popullore është i shkëlqyer. Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e hapur të farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Ramës. PPE mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por një proces të bazuar në meritë, siç është edhe kërkesa jona. : Paralajmërime shumë serioze dhe faktikisht, në qoftë se dje u votua me unanimitet Mali i Zi, Shqipëria mbeti në klasë dhe është në labirintet në të cilat e futi Edi Rama për shkak të dosjeve të tij të tmerrshme me korrupsionin. Pra, Shqipëria është peng i korrupsionit të Edi Ramës. Mendoj se Edi Rama nuk dëgjon më thirrje nga Brukseli, por nga disa prej vendeve më të prapambetura të Afrikës.
