Në një reagim zyrtar, Konfindustria i bën thirrje qeverisë që të hartojë një paketë lehtësuese fiskale, për rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Konfindustria propozon edhe disa masa që duhen ndërmarrë për të shmangur një krizë të tejzgjatur.
Së pari, kërkohet që të gjitha të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, të rikthehen drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset përmes uljes së çmimit final.
Së dyti, Konfindustria propozon uljen e taksës së qarkullimit të automjeteve deri në nivelin e rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve.
Masa e tretë që propozohet është përcaktimi i një çmimi tavan të shitjes me pakicë të karburanteve.
“Çmimet me pakicë në treg kanë kapur kufijtë e 200 lekë/litër dhe kahu është për rritje të mëtejshme, që mund të krijojë pasoja shkatërruese për ekonominë, industritë dhe qytetarët. Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit”, thuhet mes të tjerash në reagim.
REAGIMI I PLOTË:
Konfindustria, duke marrë shkak nga thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar në kohë e krizës së karburanteve për shkak të luftës në Gjirin Persik, kërkon nga qeveria ndërtimin dhe zbatimin e shpejtë të paketës fiskale lehtësuese të çmimeve në treg. Konfindustria kërkon, që paketa e parë fiskale antikrizë të përfshijë të paktën dy shtylla:
Së pari, gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga zbatimi i TVSH-së mbi çmimet e rritura të karburanteve krahësimisht me kohën e parakrizës, të rikthehet drejpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Së dyti, të ulet taksa e qarkullimit të automjeteve deri në masën e rritjes së të ardhurave absolute në buxhet nga TVSh-ja e karburanteve krahësimisht me çmimet në kohën parakrizë.
Masa e tretë e domosdoshme shoqëruese e paketës është ndërtimi i mekanizmit institucional për përcaktimin e çmimit tavan të shitjes me pakicë të karburanteve me qëllim që ulja e peshës fiskale të mos përfundojë vetëm në shtimin e fitimeve për tregëtarët oligopol. Çmimet me pakicë në treg kanë kapur kufijtë e 200 lekë/litër dhe kahu është për rritje të mëtejshme, që mund të krijojë pasoja shkatërruese për ekonominë, industritë dhe qytetarët.
Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit.
