VIDEO/ Taulant Seferi përshëndet me gol Sylvinhon, shënon në Turqi

Sulmuesi shqiptar Taulant Seferi vazhdon formën e mirë në kampionatin turk, duke qenë vendimtar në fitoren 2-3 të Bodrumspor ndaj Iğdır FK në javën e 30-të të TFF First League.

Futbollisti 29-vjeçar nga Kumanova zhbllokoi rezultatin në minutën e 18-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe duke i hapur rrugën suksesit të skuadrës së tij.

Ky ishte goli i 15-të i sezonit për Seferin në kampionat, një shifër që konfirmon formën e tij të mirë gjatë këtij edicioni, ku ka zhvilluar 29 ndeshje.

Performancat e fundit kanë rikthyer edhe diskutimet për një ftesë të mundshme në Kombëtare. Sulmuesi nuk është grumbulluar prej më shumë se një viti nga trajneri Sylvinho.

Megjithatë, situata në repartin ofensiv të Shqipërisë mund të hapë rrugë për rikthimin e tij. Dëmtimet e sulmuesve Armando Broja, Mirlind Daku dhe Rey Manaj kanë krijuar mungesa të rëndësishme në sulm.

Trajneri Sylvinho pritet të shpallë javën e ardhshme listën për ndeshjen play-off të Kupës së Botës kundër Polonisë, ndërsa emri i Seferit është ndër kandidatët që mund të rikthehen në skuadrën kuqezi.


Shtuar 12.03.2026 22:08