Berisha: Do votojmë për arrestimin e Ballukut, Rama kryeministri më i poshtëruar në botë, përulet si legen para miqve që të ndryshojnë mendim

Këtë të enjte, në një deklaratë për mediat para Kuvendit, lideri demokrat Sali Berisha, ka deklaruar se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është zgjidhja e vetme për situatën që, sipas tij, po përjeton vendi.

Berisha tha se qytetarët shqiptarë kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, duke e cilësuar atë si “kryeministrin më të poshtëruar” në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

“Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje dhe të kësaj situate dramatike që përjeton vendi. Në një kohë kur Edi Rama, njeriu më i poshtëruar në detyrë sot, në të gjithë hapësirën e Bashkimit Europian dhe më gjerë, nuk ka sot një kryemnistër të poshtëruar para botës dhe popullit të tij siç është Edi Rama. Është i poshtëruar sepse po shkelmon ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjet e tij. Është i poshtëruar sepse për interesa të hajdutërisë së tij, pasurive të tij të paligjshme, po mbyll dyert e BE për Shqipërinë. Është i poshtëruar se aty ky miraton ligje në parlament për firmën e tij, firmën ia merr Pëllumbesha Spirogjoka. Është i poshtëruar se aty ku bën ligje që Linda e tij të jetë First Lady e Shqipërisë, zonja Begaj ia menderos ligjin. Pra, Edi Rama përjeton periudhën e poshtërimit më maksimal të një qeveritari, të një kryeministri”, tha Berisha.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se opozita do të votojë në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut, por shtoi se masa të tilla nuk janë zgjidhje për krizën politike.

“Ne sot jemi këtu për të shprehur mendimin e qytetarëve shqiptarëve. Do të votojmë në unison për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, por këto nuk janë zgjidhja e krizës është largimi i njeriut më të poshtëruar sot në skenën politike evropiane dhe perëndimore që quhet Edi Rama. Ju duhet ta dini këtë, që ai është njeriu i poshtëruar për aktet që ka kryer. Por ai, për të shpëtuar lëkurën e tij, është i gatshëm të pranojë çdo lloj poshtërimi që i bëhet. Nuk mund ta imagjinoni ju se si në darkat e tij të neveritshme, që ua nxjerr ato që hanë miqve, shkon dhe u përkulet, u bie në gjunjë si legen, për t’u kërkuar që të ndryshojnë mendimin. Ta dinë shqiptarët se ky është sot Edi Rama”, tha Berisha.


Shtuar 12.03.2026 10:11