Shqiptarët, komuniteti i dytë më i madh që jetojnë në Itali, 141 mijë kanë pasaportë italiane

Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh që jetojnë në Itali, pas rumunëve. Sipas të dhënave të Eurostat për strukturën e popullsisë së huaj sipas vendit të lindjes, rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri jetonin në Itali, ndërsa rreth 416 mijë rezultojnë si shtetas shqiptarë.

Diferenca mes këtyre dy shifrave lidhet kryesisht me faktin që një pjesë e emigrantëve shqiptarë kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane, që vlerësohet rreth 141 mijë persona.

Kjo e konfirmon komunitetin shqiptar si të dytin më të madh në Itali pas atij rumun, duke ruajtur një prani shumë të konsoliduar në tregun italian të punës dhe në strukturën sociale të vendit.

Shtetasit e lindur në Shqipëri, përbëjnë 8.3% të totalit të emigrantëve në Itali.

Grupi më i madh i emigrantëve në Itali janë rumunët, me rreth 900 mijë shtetas të lindur në Rumani, ose 13.5% të totalit.

Duke pasur parasysh popullsitë aktuale të dy vendeve, Rumania me 19 milionë banorë dhe Shqipëria me 2.36 milionë banorë, komuniteti shqiptar në Itali, në raport me popullsinë në vendin mëmë, është disa herë më i madh se ai rumun.

Eurostat nuk raporton të dhënat për Greqinë, ku jetojnë një numër i lartë emigrantësh shqiptarë, që vlerësohet që janë në të njëjtin nivel, ose më shumë se në Itali.

Në raport me popullsinë, Shqipëria ka numrin më të lartë të emigrantëve në Europë, me afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në BE, ç`ka e vendos vendin dukshëm në krye të listës në raport me popullsinë.

Eurostat ka raportuar për çdo shtet të BE-së, pesë kombësitë kryesore të qytetarëve të huaj. Në Slloveni, psh ka rreth 30 mijë shtetas të lindur në Kosovë, ose 9.3% të totalit.

Sipas Eurostat, më 1 janar 2024, 44.7 milionë persona të lindur jashtë BE-së jetonin në një vend të Bashkimit Europian, duke përfaqësuar 9.9% të popullsisë së BE-së.

Kjo përfaqëson një rritje prej 2.3 milionë personash krahasuar me vitin e mëparshëm.

Përveç kësaj, 17.9 milionë persona që jetonin në një nga vendet e BE-së më 1 janar 2024 kishin lindur në një vend tjetër të BE-së, duke shënuar një rritje prej 0.2 milionë personash krahasuar me një vit më parë.

Në terma absolutë, numri më i madh i personave të lindur jashtë vendit që jetonin në BE më 1 janar 2024 gjendej në Gjermani (16.9 milionë), Francë (9.3 milionë), Spanjë (8.8 milionë) dhe Itali (6.7 milionë).

Personat e lindur jashtë vendit në këto katër vende, përbënin së bashku 66.6% të totalit të personave të lindur jashtë vendit që jetonin në BE, ndërsa të njëjtat katër vende përbënin 57.8% të popullsisë totale të BE-së.

Pesha më e lartë relative e personave të lindur jashtë vendit në raport me popullsinë totale u regjistrua në Luksemburg (51.0% e popullsisë rezidente), e ndjekur nga Malta (30.8%), Qipro (26.9%), Irlandë (22.6%), Austri (22.1%), Suedi (20.6%) dhe Gjermani (20.2%).

Në të kundërt, personat e lindur jashtë vendit përbënin më pak se 5% të popullsisë në Poloni (2.6%), Rumani (3.1%), Bullgari (3.3%) dhe Sllovaki (3.9%)./Monitor