Shkarkimi i Belinda Ballukut një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se; “Balluku u shkarkua, ndërsa ajo përballet me akuzat për abuzime me tenderat publik”, ndërsa theksohet se këto akuza kanë nxitur edhe protestat e opozitës.
“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, ngriti aktakuzë ndaj Ballukut në dhjetor, nën dyshimin se ka ndërhyrë në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro”, thuhet më tej në shkrimin e “Reuters”.
Ndërkohë, Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars nëse do të votojë apo jo për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke i hapur rrugë SPAK për ta arrestuar atë.
Kryeministri, i cili drejton vendin që prej vitit 2013, nuk dha arsye konkrete për shkarkimin e saj, që erdhi në kuadër të një riorganizimi më të gjerë të qeverisë, ku u prekën shtatë poste, përfshirë ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm.
Zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, deklaroi për Reuters se; “Rama kishte paralajmëruar që në fillim të mandatit se riorganizimet mund të ishin më të shpeshta, ndërsa gjatë katër muajve të fundit kishte refuzuar tre herë dorëheqjen e Ballukut”.
“Që prej marrjes së saj të pandehur, forca më e madhe opozitare, ka organizuar protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Gjatë tubimeve janë regjistruar përplasje, ku protestuesit kanë hedhur bomba molotov, ndërsa ka pasur të lënduar si nga radhët e policisë ashtu edhe të demonstruesve”, shkruan Reuters.
Shqipëria, e cila synon anëtarësimin në deri në vitin 2030, përballet me presion nga Brukseli për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zyrtarë të BE-së, kanë deklaruar se po ndjekin nga afër mënyrën se si qeveria po i trajton çështjet e korrupsionit, duke theksuar se progresi në këtë drejtim është kyç për integrimin evropian të vendit.


