Ëngjëllushe Tahiri është caktuar si gjyqtare themeli për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliajt dhe miqve të tij të përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Shorti elektronik ka përcaktuar këtë gjyqtare për të vendosur për fajësi apo pafajësi për Erjon Veliajn, Ajola Xoxa dhe personat e tjerë të përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash.
Gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri aktualisht gjykon megaprocesin “Plumbi i Artë”.
Tahiri në këtë proces do të jetë bashkë me dy gjyqtarë të tjerë.

Ne foto: Gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri
PROCESI
Kujtojmë se tre ditë më parë Apeli i GJKKO-së rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke lënë Veliajn në burg.
Kreu i bashkisë së Tiranës kishte ofruar garanci pasurore në përpjekje për të zbutur masën aktuale “arrest me burg”.
Mbrojtja e kryebashkiakut iu drejtua Apelit të Posaçëm për të ndryshuar masën e sigurisë me argumentin se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, ç`ka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.
Po ashtu, kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.
Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumicën e akuzave e përbën korrupsioni pasiv i kryer sipas SPAK në 9 raste. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste.
