Kreu i SPAK, Klodian Braho takohet me Presidentin e Eurojust-it, Michael Schmid

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, është takuar me Presidentin e Eurojust-it, Michael Schmid, në selinë qendrore të Eurojust-it.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë zyra e Eurojust dhe SPAK, në faqen e saj në Facebook.

Vetëm pak muaj më parë, nga Tirana presidenti Michael Schmid paralajmëroi rritje të nivelit të bashkëpunimit mes SPAK dhe Eurojust për të luftuar grupet kriminale.

Ai u takua gjatë Forumit të 2-të Konsultativ të Kryeprokurorëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë edhe me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ku të dy vlerësuan rolin e SPAK-ut, i cili shihet si një faktor që ndryshon rrënjësisht situatën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke forcuar sundimin e ligjit dhe besimin publik.

Në fjalën e tij asokohe, Michael Schmid tha se Ballkani Perëndimor është partner shumë i rëndësishëm i Eurojust dhe se kërkojnë të rrisin nivelin e bashkëpunimit për të luftuar grupet kriminale.

Ai theksoi mbështetjen e Eurojust për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Të lehtësohet rruga juaj drejt anëtarësimit në BE. Ne bëjmë vlerësimin tonë vjetor lidhur me progresin për bashkëpunimin gjyqësor dhe dua t’ju garantoj që mund të besoni me ne. Mbështesim rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe do ishte kënaqësi e madhe nëse do bëheshit vend anëtar”, tha ai gjatë forumit të qershor 2025, në Tiranë.


Shtuar 12.02.2026 14:14