Ish-kandidati i PD-së për deputet në Tiranë, Ilir Alimehmeti, gjatë fjalës së tij në protestën e ditës së sotme, ka hedhur akuza ndaj qeverisë se ka abuzuar me fondet publike.
Alimehmeti tha se qeveria po ndjek politika që çojnë në shpopullimin e vendit dhe për këtë, përgjegjës është kryeministri Edi Rama.
“Është fakt që 1.6 milionë janë jashtë Shqipërisë. Është fakt që një në pesë persona po mendon largimin, dhe kjo është falë politikave që ndjek Rilindja me Edi Ramën. Politika që bazohen në shpopullim dhe në abuzim me paratë publike. Kujdes, këto abuzime që janë, nuk janë thjesht në lekë, por kanë pasoja kolosale. Çojnë në shkolla pa fëmijë, çojnë spitali pa mjekë dhe pa ilaçe, janë abuzime që çojnë pronar pa prona, janë abuzime që çojnë ekonomi pa të ardhme. Dhe për të gjitha këto, ka vetëm një emër dhe përgjegjësi, Edi Rama”, tha Alimehmeti.
Më tej kandidati për deputet theksoi në fjalën e tij, se nuk ka akuzë më të madhe që mund t’i bëhen qeverisë sesa boshatisja e vendit.
“Një orë e më parë ne duhet t’i themi këtij personi që nuk ka më fajtorë, nuk ka njeri më që i ha dardha pas shpine. Kur ke gjithë pushtetin ke gjithë përgjegjësinë. Ne sot mund të flasim për dështimet e qeverisë, por nuk ka akuzë më të madhe historike, sesa populli kur ikën. Kur populli të ikën rrugëve të botës, kjo është akuza më e madhe, boshatisja e vendit.”, vijoi ai.
Po ashtu ai hodhi akuza se po ndiqen politika kundër familjes dhe shoqërisë.
“Mos harroni kur kemi qenë. Kemi pasur dy fjalë, nënë dhe baba, tani kemi prindi 1 dhe prindi 2. Kujtoj një vend që kishim dy gjini, mashkull edhe femër, sot kemi dhjetëra e dhjetëra gjini që na flet kjo qeveri.”, tha ai.


