Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se SHBA-të duan që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor, duke shtuar se të dyja palët janë ftuar në Amerikë për bisedime javën e ardhshme, raporton BBC.
“Amerika propozoi për herë të parë që dy ekipet negociuese Ukraina dhe Rusia të takohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndoshta në Miami, brenda një jave. Ne konfirmuam pjesëmarrjen tonë”, tha ai.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga Uashingtoni apo Moska. Megjithatë Trump ka bërë presion për t’i dhënë fund konfliktit që nga rikthimi i tij në detyrë.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet e saj ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme të energjisë elektrike gjatë kushteve të ngrirjes.
Në komentet e publikuara dje, Zelensky u tha gazetarëve se çfarë kishte ndodhur gjatë raundit të dytë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi, të cilat përfunduan të premten pa raportime për ndonjë përparim.
Ai u shpreh se “çështjet e vështira mbetën të vështira”, duke përfshirë lëshimet territoriale që Ukraina është nën presion për t’i bërë.
Sipas Zelensky palët diskutuan, për herë të parë, mundësinë e një takimi trepalësh midis udhëheqësve.
I pyetur nëse ishte dhënë një afat kohor për një marrëveshje, udhëheqësi ukrainas u përgjigj: “Amerikanët thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor”.
