Ditën e sotme një barakë e vjetër është përfshirë nga flakët, ku jetonte një 80-vjeçar. Si pasojë e zjarrit, shtetasi Sefer Balina ka pësuar djegie të konsiderueshme në trup.
Menjëherë pas mbërritjes në Spitalin Rajonal të Shkodrës, i moshuari është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar, për shkak të plagëve të rënda dhe djegieve të shkallës së tretë që ka pësuar.
Ende mbeten të paqarta shkaqet e zjarrit që përfshiu barakën ku ai jetonte. Kanë qenë fqinjët ata që kanë konstatuar flakët dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës, i cili ka ndërhyrë duke lokalizuar dhe shuar vatrën e zjarrit.
Po ashtu, fqinjët kanë lajmëruar menjëherë shërbimet e urgjencës, ndërsa një ambulancë ka bërë transportimin e të dëmtuarit fillimisht drejt spitalit të Shkodrës dhe më pas drejt kryeqytetit.
