Tragjedia hekurudhore në Spanjë, rëndohet bilanci i viktimave nga përplasja e trenave

Një tjetër person u gjet i vdekur këtë pasdite nga ekipet e shpëtimit, në rrënojat e trenave që u përplasën në Andaluzi të Spanjës jugore dy ditë më parë.

Kjo ka rënduar bilancin, duke e çuar numrin e viktimave në 42, ndërsa shumë pyetje mbeten pa përgjigje rreth asaj që çoi në këtë katastrofë.

Numri i viktimave nuk është ende përfundimtar, pothuajse 48 orë pas aksidentit. Kërkimet në rrënojat vazhdojnë dhe është e hapur mundësia që të gjenden të tjerë të vdekur. Autoritetet thonë se numri mund të rritet, teksa janë shënuar edhe mbi 150 të plagosur.

“Një tjetër viktimë u gjet në një nga vagonët e Alvia-s (një tren i Renfe) këtë pasdite”, thanë autoritetet lokale në një deklaratë.

Sipas mediave spanjolle, hetimi për shkakun e aksidentit është përqendruar në një lidhje hekurudhore të prishur, këputja prej 30 centimetrash e shinave në zonën ku ndodhi aksidenti hekurudhor.


Shtuar 20.01.2026 20:52