Lumturije Nonaj, e vetmja rapsode grua në botë që i bie lahutës

Lahuta mbetet shpirti i Shqipërisë së Veriut. Historitë që lindin nga tingujt e saj udhëtojnë më shpejt se njerëzit në rrugët e Malësisë, duke përcjellë kujtesë, identitet dhe art brez pas brezi. Dikur rapsodët e këtyre trevave ishin të shumtë. Ata këndonin këngë trimash, histori njerëzore dhe rrëfime të jetës malësore, duke e mbajtur gjallë traditën e lahutës si një amanet të shenjtë.

Nga trungu i kësaj trashëgimie vjen edhe Lumturije Nonaj, e konsideruar sot e vetmja rapsode grua në botë që interpreton me lahutë. Ajo është pinjolle e një familjeje të njohur lahutarësh, e cila e ka promovuar këtë instrument në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Lumturija është mbesa e rapsodit legjendar Gjok Nonaj, i cili interpretoi në moshën 105 vjeçare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe mbetet një nga figurat më emblematike të këtij arti.

E lindur në Lezhë dhe me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije Nonaj thotë se lahuta ka qenë pjesë e jetës së saj që në fëmijëri.

“Unë pothuajse kam lindur lahutare. Brez pas brezi familja ime njihej si familje lahutarësh. Çiftelisë i kam rënë që pesë vjeçe, ndërsa lahutës kam filluar t’i bie në moshën dymbëdhjetë vjeçare”, shprehet ajo.
Sipas saj, sot kanë mbetur shumë pak lahutarë, aq sa mund të numërohen me gishta.

Tradita vazhdon ende brenda familjes Nonaj. Katër vëllezërit e saj, Nikolla, Luigji, Gjeta dhe Gjovalini, janë gjithashtu lahutarë, ndërsa Lumturija po ia mëson këtë instrument edhe bashkëshortit të saj. Ajo thekson se lahuta nuk është e vështirë për t’u mësuar, për sa kohë ka dëshirë dhe respekt për traditën.

Pas njohjes së lahutës nga UNESCO, interesimi për këtë instrument është rritur ndjeshëm. Lumturija tregon se shpesh ndalet nga njerëz në rrugë, sidomos kur shfaqet e veshur me xhubletë dhe me lahutën në dorë.

“Kanë kureshtje. Duan të dinë për identitetin e instrumentit, për pasaportën e lahutës. Dëshira ime është jo vetëm ta luaj, por edhe t’ua mësoj të rinjve”, thotë ajo, duke shprehur shpresën se Shqipëria do të vazhdojë të ketë lahutarë dhe lahutare.
Repertori i saj përfshin këngë trimërie, këngë të Eposit të Kreshnikëve, si dhe vargje nga “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishta. Por Lumturije Nonaj ka zgjedhur që lahuta e saj të mos këndojë vetëm për luftë dhe vaj.

“Lahutës sime i kam dhënë për detyrë të këndojë edhe këngë dashurie”, shprehet ajo.
Ajo krijon gjithashtu këngë për Malësinë e Madhe, bjeshkët dhe shtegtimin e bagëtive, një tjetër traditë e njohur sot si pasuri shpirtërore.

Për lahutaren, xhubleta dhe lahuta janë si dy motra të pandara. Ajo thotë se nuk do t’i ndajë kurrë, sepse përfaqësojnë identitetin, rrënjët dhe historinë e saj. Siç shprehet vetë Lumturije Nonaj, njohja e lahutës nga UNESCO është një fitore për gjithë kulturën shqiptare.

“Bota e vlerëson këtë art dhe kjo na jep forcë e emocion që ta ruajmë dhe ta çojmë përpara këtë trashëgimi të shenjtë të të parëve tanë”, thotë ajo, duke e parë lahutën si një urë që lidh të shkuarën me brezat që vijnë.


Shtuar 16.01.2026 16:13