Duke nisur nga dita e sotme, hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve nëpërmjet bonuseve mujore, ashtu sic njoftoi më herët edhe kryeministri Edi Rama.
Rritja do të jetë e përmuajshme sipas kategorive të ndryshme të pensionistëve. Përfituesit në qytet do të marrin shtesë rreth 1.800 lekë në muaj, 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme, 1000 lekë në muaj për pensionet rurale, 700 lekë në muaj për pensionet familjare dhe 600 lekë për pensionet e invaliditetit.
Kjo skemë e re e panjohur më parë, synon të përmbushë angazhimin e qeverisë për të çuar pensionin minimal, në vend 20 mijë lekë dhe pensionin mesatar në qytet 40 mijë lekë.
Por cfarë do të përfitojnë konkretisht një pensionist i cili sot merr 27 mijë lekë në muaj?
Në vitin 2029, ai do të marrë 40 mijë lekë në muaj. Edhe për pensionin e dalë nga kontributet në fshat, një individ që sot merr 11 mijë lekë, pas 4 vitesh ai do të ketë pension mujor 18 mijë lekë.
Sot përfitues në skemë e kontributeve shoqërore janë rreth 730 mijë individë, numri i të cilëve shtohet çdo vit me 15 mijë pensionistë.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ka lajmëruar se brenda vitit 2026 pritet reformimi i skemës së pensioneve me synim rritjen e qëndrueshmërisë dhe përfitimit.




