Aksion i policisë në Shkodër, arrestohet 25-vjeçari, shpallet në kërkim një tjetër

Policia e Shkodrës, ka arrestuar një 25-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim një 39-vjeçar, të akuzuar të dy për vjedhje dhe disa vepra të tjera penale.

Gjithashtu, në pranga ra S.C., 25-vjeç, ndërsa shtetasi B. B., 39-vjeç, është në kërkim.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit”, tha policia.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtyre dy shtetasve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 25.12.2025 10:45