Policia në Velipojë, ka zbuluar një banesë me qira që ishte kthyer në një “shtëpi bari”. Në pranga është vënë 22-vjeçari Gjovalin Binaku që kultivonte bimët narkotike.
Gjithashtu, në pranga është vënë edhe një punonjës i OSHEE-së, Robert Vata, për shpërdorim detyre ndërsa dy punonjës të tjerë janë vënë nën hetim.
Policia gjeti në banesën e marrë me qira 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë të kësaj lënde të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 4 celularë.
Po ashtu, edhe nga kontrollet në banesën e Robert Vatës u gjetën 3 llamba dhe një përforcues grushti.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/ Operacione të njëpasnjëshme nga strukturat e DVP Shkodër për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave.
Finalizohet faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët 4”. Shkon në 7 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura në kuadër të këtij operacioni.
Kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, arrestohet në flagrancë një 22-vjeçar nga Vau i Dejës.
Në pranga edhe 1 punonjës i OSHEE-së, ndërsa 2 punonjës të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.
Sekuestrohen 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe u finalizua faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22-vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës.
Në vijim të operacionit u ndalua edhe shtetasi R. V., 25-vjeç, banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. U., 50-vjeç, dhe Gj. T., 59-vjeç, të dy banues në Velipojë dhe punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në një ambient (banesë), në Velipojë, të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë të kësaj lënde të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 4 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit R. V., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 llamba dhe një përforcues grushti.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.




