Presidenti Begaj pret gazetarët për festat e fundvitit, vlerëson përgjegjësinë e medias ndaj interesit publik (VIDEO)

Mbrëmjen e djeshme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit me gazetarë dhe përfaqësues të mediave.

Kreu i Shtetit, u uroi profesionistëve të medias një vit të ri plot suksese, duke theksuar se ky takim shkon përtej karakterit festiv dhe përfaqëson një shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.

Gjithashtu në fjalën e tij, Presidenti Begaj, vlerësoi rolin e gazetarisë si një profesion me sfida të mëdha dhe me përgjegjësi të lartë publike.

“Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është më i bukuri në botë. Në fakt jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari kolumbian Gabriel García Márquez, gazetaria është profesioni më i bukur në botë. Është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por me një përgjegjësi edhe më të madhe. Mjekët e kanë përgjegjësinë ndaj individit, ndërsa ju keni përgjegjësinë ndaj interesit publik. Ju keni qenë të pranishëm kudo, duke u përkushtuar dhe angazhuar gjithmonë”, u shpreh Begaj.

Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të gazetarëve në çdo situatë, Presidenti u shpreh se përkushtimi dhe prania e tyre janë thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe për forcimin e besimit të publikut.

Begaj falenderoi përfaqësuesit e mediave për kontributin e dhënë gjatë gjithë vitit, duke nënvizuar se përgjegjësia për informimin e saktë dhe të vërtetë është ajo që e bën gazetarinë një profesion për të qenë krenar.

Fjala e presidentit Bajram Begaj:

“Mirëmbrëma të gjithëve!

Në fakt, unë nuk kam për të mbajtur fjalë.

Dua vetëm një minutë vëmendje.

Shumë faleminderit për pjesëmarrjen sot të gjithë ju, gazetarë dhe përfaqësues të medias!

E konsideroj si takim festiv, meqenëse jemi në prag të mbylljes së vitit, por më shumë se sa një takim festiv, është një mirënjohje, një mirënjohje për çfare ju bëni përgjatë gjithë vitit.

Në fakt, si çdo vit tjetër, ka qenë i pasur me ngjarje, nga ngjarjet rutinë, deri te ngjarjet dinamike, politike, që më mirë se ju, askush tjetër nuk i raporton.

Gjithmonë kam menduar se profesioni i mjekut është profesioni më i bukur në botë. Në fakt, jam gabuar, sepse, siç e thotë edhe shkrimtari i njohur kolumbian, Gabriel Garcia Márquez, “Gazetaria është profesioni më i bukur në botë”, sepse është një profesion i vështirë, me shumë sfida, por që ka një përgjegjësi shumë më të madhe se mjekët: mjekët përgjegjësinë e kanë me individin, ndërsa ju përgjegjësinë e keni me interesin publik. Dhe ju keni qenë prezent kudo për të raportuar, për të informuar. Keni qenë në rrugë, keni qenë në institucione, kohë pa kohë, duke u përkushtuar dhe duke u angazhuar gjithmonë.

Sot është dita për t’ju falënderuar për përkushtimin, për kontributin, dhe besoj se përgjegjësia e informimit për të vërtetën është ajo çfarë juve ju bën krenarë.

Shumë faleminderit për punën dhe misionin tuaj!

Në fund, dua ta mbyll, meqenëse jemi në prag të festave, duke uruar për secilin nga ju, për familjet tuaja, gëzuar festat, një vit sa më të mbarë e sa më të suksesshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh presidenti Begaj.

 


Shtuar 20.12.2025 09:43