Kryebashkiaku socialist i Shkodrës, Benet Beci është paraqitur pasditen e kësaj të premte në Prokurorinë e Posaçme, ku raportohet se janë mbyllur hetimet për një akuzë ndaj tij, dhe pritet që t’i komunikohet zyrtarisht marrja i pandehur.
Bëhet me dije se akuza ndaj Benet Becit konsiston në një tender me vlerë 700 mijë euro apo 700 milionë lekë, me objekt zhvillimin e sektorin energjitik. Nga kjo, kuptohet se bëhet fjalë për kohën kur kryebashkiaku ka qenë në krye të KESH.
Megjithatë, pritet njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme për të sqaruar akuzën ndaj kryebashkiakut të Shkodrës dhe cilësinë e thirrjes së tij në SPAK.
Benet Beci ka qenë në organin më të lartë të akuzës edhe të paktën dy herë të tjera. Për herë të fundit, u mor në pyetje nga prokurorët, por kur u pyet nga gazetarët se pse ishte thirrur, kryebashkiaku i Shkodrës heshti dhe u larguar duke buzëqeshur.
Hetimi ka nisur pasi u sekuestrua telefoni i bashkëshortes së ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku u gjetën komunikime që lidhen me Becin, për shkak të pozicionit të saj në KESH. Sipas Lalës, Benet Beci po hetohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, me fokus tek roli i tij si ish-drejtor i KESH.
Kryebashkiaku socialist i Shkodrës u mor zyrtarisht nën hetim në nëntor të vitit të kaluar (2024) nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkelje kur drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.

