Në Bruksel u mbajt sot samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor ku në përfundim liderët e BE-së dhe të shteteve anëtare publikuan një deklaratë të përbashkët në të cilën riafirmuan angazhimin e tyre të plotë për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Një pjesë e deklaratës i dedikohet dhe marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Serbi. Drejtuar Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, liderët e BE-së theksojnë se dy vendet po pengojnë integrimin e njëri-tjetrit dhe kjo për shkak të raporteve të tensionuara.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane. Të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj. Mbështetja në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me angazhimin konstruktiv të partnerëve, me përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në këtë deklaratë.
Theksojmë se në këtë samit Serbia nuk mori pjesë, një mungesë kjo që u theksua dhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Për herë të parë në 13 ose 14 vitet e fundit, as unë dhe as dikush tjetër nuk do të shkojmë në atë konferencë ndërqeveritare. Askush nuk do ta përfaqësojë Republikën e Serbisë, kështu që Ballkani Perëndimor do të jetë pa Republikën e Serbisë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç kur njoftoi se nuk do të merrte pjesë.
Kosova ndërkohë është i vetmi vend pjesëmarrës në këtë samit, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022. E përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani, kjo e fundit injoroi plotësisht mungesën e Serbisë në samit. Teksa u pyet nga gazetarët për këtë mungesë, ajo tha se nuk e kishte vënë aspak re.
