Kreu i PD-së Sali Berisha mbajti fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar demokrat pasditen e sotme.
Kryedemokrati sqaroi fillimisht se pse nuk ishte mbledhur Këshilli Kombëtar pas zgjedhjeve të 11 majit, ashtu siç ishte premtuar më parë.
Berisha tha se ai dhe lidershipi demokrat janë njerëz të fjalës, por pas zgjedhjeve të 11 majit, ata u morën me mbrojtjen e votës së grabitur të shqiptarëve në 11 maj.
Sipas tij ata që fajësojnë opozitën për humbjen në zgjedhje bëjnë një gabim shumë të madh, pasi dashje apo pa dashje po justifikojnë farsën.
Berisha: Së pari me një sqarim të domosdoshëm para jush dhe demokratëve në mbarë Shqipërinë për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD pas zgjedhjeve të 11 majit. Dua të garantojë çdo demokrati, se kjo vonesë ka patur vetëm një shkak dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë. Unë dhe të gjithë ne jemi njerëz të fjalës.
Dy, kanë qenë të themi kryefjalë tona, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kam thënë me përsëri, por e dyta ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe, e seriozitetit tonë e përkushtimit tonë, e vendosmërisë, integritetit ndershmërisë sonë. Duke thënë këtë, theksoj se fushata elektorale, e vitit 2025, ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer në tërë historinë e PD-së.
Ka qenë fushata me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale. Ka qenë fushata në të cilën ne garantuam mbështetje të plotë dhe totale nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë, CDI, IDU dhe vetëm 10 dita para zgjedhjeve PPE denoncoi pa u zhvilluar farsën elektorale që kishte përgatitur Edi Rama. Në këtë kontekst mund të them, se farsë e vitit 2025, tejkalonte në përmasa të paimagjinueshme të gjitha farsat e tjera elektorale. Ata të cilët, duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh në substancë në themel dhe me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën. Sepse për çdo qytetar, individ që ka të qartë, procesin zgjedhor, ai e di se nëse gara zhvillohet mes shtetit elektoral dhe partive politike nuk është garë, por farsë.

