Një pjesë e trotuarit në aksin Pogradec–Qafë Plloçë, në segmentin që kalon pranë fshatit Gështenjas, është shembur plotësisht.
Shembja është konstatuar ditët e fundit, ndërsa bashkë me rrëshqitjen e trotuarit raportohet se janë dëmtuar edhe rrjetet nëntokësore. Rrëshqitja është e konsiderueshme dhe për momentin nuk dihet nëse ajo rrezikon edhe karrexhatën e rrugës.
Përveç dëmtimit të trotuarit, ky aks prej muajsh është pa ndriçim, ndonëse kalon mes zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve.
Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit, përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.
Aksi Pogradec–Qafë Plloçë njihet prej vitesh si një nga “njollat e zeza” të juglindjes, sa i përket aksidenteve rrugore.
